Nuk ka Australian Open për Djokovic, gjykata merr vendimin final

Nuk ka Australian Open për Novak Djokovic. Numri një i botës në Tenis ka humbur betejën në gjykatë. Gjykata Federale vendosi unanimisht që vendimi për vizën e anuluar nga ministria e emigracionit të qëndronte në fuqi.

Kjo do të thotë se serbi duhet të kthehet përsëri në vendin e tij. Duket se kjo është seria e fundit e telenovelës që prej disa ditësh u kthye në problem në sportin e tenisit, por gjithashtu edhe në problem diplomatik. Shteti serb dhe shteti australian mbajtën qëndrime të ndryshme për situatën.

Ndërkohë, Novak Djokovic foli pasi mori vesh vendimin e gjykatës duke u shprehur shumë i zhgënjyer: “Tani do të marr pak kohë për të pushuar dhe për t’u rikuperuar, përpara se të bëj ndonjë koment të mëtejshëm për këtë gjë.

Jam jashtëzakonisht i zhgënjyer me vendimin e gjykatës për të hedhur poshtë kërkesën time për shqyrtim gjyqësor të vendimit të ministrit për anulimin e vizës sime. Kjo do të thotë se nuk mund të qëndroj në Australi dhe të marr pjesë në Australian Open”, tha Djokovic. /oversport.tv