Nuk ka derbi shqiptarësh në Spezia-Salernitana, Veseli pozitiv me Covid 19

Kishte lënë pas krahëve dëmtimin që e kishte lënë jashtë fushës së blertë, duke debutuar këtë sezon në ndeshjen e skuadrës kombëtare kundër Hungarisë, ku zëvendësoi Gjimshitin e dëmtuar.

Frederic Veseli luajti 90 minuta në ndeshjen tjetër të Shqipërisë kundër Polonisë dhe ishte i gatshëm për të bërë debutimin sezonal në Serie A, me skuadrën e Salernitanës.

Por, duket se mbrojtësi kuqezi do të presë akoma për të luajtur minutat e tij të para në kampionatin italian, pasi në prag të sfidës kundër Spezias ka rezultuar pozitiv me Covid 19.

Ka qënë vetë klubi i Salernitanës, që ka dhënë njoftimin në faqen zyrtare në internet. “Salernitana njofton se lojtari Frederic Veseli, pasi është rikthyer nga grumbullimi me kombëtaren shqiptare ka rezultuar pozitiv pas bërjes së tamponit dhe tashmë është i izoluar në shtëpi”, shkruan klubi Italian.

Veseli pritej të ishte titullar në transfertën e sotme kundër Spezias, ku mund të kishim një derbi shqiptarësh, pasi pritet që Manaj të luajë që nga minuta e parë për skuadrën e tij. / Oversport.tv