Nuk ka fitues në “Penzo”, Venezia dhe Empoli kanë harruar rrugën e suksesit

Nuk ka fitues në sfidën e luajtur në “Penzo” dhe Venezia dhe Empoli duhet të kënaqen me nga një pikë në këtë takim.

Ka qenë një ndeshje me dy tablo, miqtë kanë dominuar gjatë pjesës së parë, ndërsa vendasit kanë reaguar në pjesën e dytë, madje kanë tentuar që të fitojnë sfidën.

Zurkowski ka shënuar për miqtë, ndërsa Okereke ka barazuar për vendasit. Si Venezia edhe Empoli vazhdojnë që të mos njohin fitore në vitin 2022.

Empoli nis më mirë sfidën e zhvilluar në stadiumin “Penzo” dhe arrin që të gjejë golin e avantazhit me anë të Zurkowskit. Miqtë janë shumë më bindës dhe dominojnë ndeshjen, duke iu afruar golit të dytë në të paktën 2 raste të pastëra.

Venezia nuk u pa kurrë në portën kundërshtare dhe trajneri Zanetti bën disa ndryshime në formacion, që tu dërgojë mezashet e duhura të besuarve të tij. Mbyllet me avantazhin e Empolit pjesa e parë në “Penzo”.

Me fillimin e pjesës së dytë Venezias shfaqet me kërkuese, duke synuar golin e barazimit. Okereke mundohet, por nuk arrin të shënjestrojë portën e Empolit.

Zanetti hedh në fushë Nanin, që rezulton menjëherë vendimtar, pasi jep një asist për Okereke, që shënon golin e barazimit. Vendasit për pak sa nuk bëjnë përmbysjen e madhe, Okereke gjuan nga distanca, por portieri Vicario bën një pritje spektakolare.

Venezia ka marrë zemër dhe kërkon golin e fitores, ndërsa Empoli nuk njihet në këtë pjesë të dytë. Vendasit mundohen, por nuk arrijnë që të shënojnë golin e fitores. Mbyllet në barazim 1-1 sfida në “Penzo”.

Itali – Serie A / Java e 22-të

Venezia-Empoli 1-1

Okereke 73’/ Zurkowski 26’