Nuk ka fitues në Peqin, vrulli i Skënderbeut ndalet nga Besa

Nuk ka fitues në sfidën Besa-Skënderbeu, që çeli javën e 12-të të Kategorisë së Parë dhe u transmetua live në Oversport dhe Tibo. Pavarësisht përpjekjeve të të dyja skuadrave, rrjetat kanë mbetur të paprekura në sfidën që u luajt në stadiumin e Peqinit. Pas dy fitoreve në krye të stolit të korçarëve tekniku Gvozdenoviç duhet të kënaqet me një pikë në këtë transfertë.

Korçarët krijojnë rastin më të pastër për shënim në pjesën e parë, por nuk arrijnë që të gjejnë rrugën e rrjetës. Ritmi i lojës ka qenë i kënaqshëm edhe në fraksionin e dytë të lojës, Skënderbeu i është afruar në disa raste golit të avantazhit, por nuk ka arritur që të mposhtë portierin kundërshtar.

Mbyllet në barazim të bardhë 0-0 supersfida e kësaj jave në Kategorinë e Parë. Skënderbeu ruan vendin e tretë (në kuotën e 20 pikëve) ndërsa Besa ngjitet në vend të katërt në kuotën e 19 pikëve.

Nesër do të luhen 6 takimet e tjera të kësaj jave të Kategorisë së Parë, sfidat e fundit të këtij turneu për këtë vit kalendarik. / Oversport.tv