Nuk ka fitues në Peshkopi, Dinamo dhe Korabi ndalen në barazim, fiton Luzi

Supersfida midis Korabit dhe Dinamos në Kategorinë e Parë përfundon me rezultatin 2-2 në një ndeshje spektakolare. Të besuarit e Nevil Dedes nuk arritën dot të menaxhonin avantazhin në dy raste, ndërsa spikati në këtë takim Preloshi i cili realizoi një supergol për Dinamon.

Ndeshja nis mirë për Dinamon që rrit presionin dhe vihet menjëherë në kërkim të golit. Megjithatë, ekuilibrat prishen nga Denisson pas më shumë se gjysmë ore lojë duke i çuar shifrat në 1-0.

Nuk vonon shumë dhe Korabi realizon në fundin e pjesës së parë me Kekon duke kthyer ekuilibrat e takimit. Ky gol i çon edhe ekipet në dhomat e zhveshjes në barazim, ndërsa në të dytë, Dinamo rikthehet sërish në kërkim të avantazhit.

Është Preloshi ai që mendon të kalojë sërish Dinamon në epërsi dhe me një supergol e çon topin në rrjetë. Goditja e tij me takë nuk i lë asnjë mundësi portierit Mehidri për të larguar topin dhe rezultatin shkon në 2-1.

Gjithçka bëhet më e lehtë për Dinamon, pasi Korabi mbetet me 10 lojtarë pas kartonit të kuq të Mziut. Megjithatë, vendasit nuk dorëzohen dhe në fundin e takimit realizojnë edhe golin e baraspeshë me anë të Beshirajt. Në fund takimi mbyllet me rezultatin 2-2 dhe të dyja ekipet ndajnë nga 1 pikë.

Dinamo qëndron në vendin e dytë me 15 pikë, dy më pak se Flamurtari kryesues. Nga ana tjetër Korabi i vendin të tretë ngjitet në kuotën e 13 pikëve.

Në sfidën tjetër të Kategorisë së Parë, Luzi mposhti Tomorin me rezultatin 2-0. /oversport.tv