Nuk ka fitues supersfida Milan-Juventus, që u transmetua live dhe ekskluzivisht në Oversport dhe Tibo. Të dyja skuadrat ndajnë nga një pikë dhe duket se ky rezultat i shkon më shumë për shtat Interit, që konsolidon pozitat e tij në krye të renditjes.
Juventusi nis më mirë sfidën, por me kalimin e minutave janë kuqezinjtë ata që dominojnë takimin. Pjesa e parë mbyllet pa raste të pastra shënimi, ndërsa në fraksionin e dytë Milani është më kërkues dhe rrezikon disa herë portën e Szczesny, por pa arritur që të gjejë rrugën e rrjetës.
Milani barazohet me Napolin në kuotën e 49-të pikëve në tabelën e klasifikimit, ndërsa merr rezultatin e 9-të pozitiv radhazi në Serie A dhe tashmë e sheh veten vetëm një pikë larg zonës Champions.
Juventusi ka nisur më mirë supersfidën e “San Siros” dhe shfaqet rrezikshëm me Cuadradon, Milani përgjigjet me Leaon, por Szczesny është në gadishmëri.
Skuadrat luftojnë, por nuk arrijnë që të krijojnë raste të pastëra në portat kundërshtare. Ibrahimovic largohet para kohe nga fusha për shkak të një dëmtimi dhe vendin e tij në sulm e zë Giroud. Locatelli provon nga distanca, por gjuan keq.
Mbyllet 0-0 pjesa e parë e klasikes së Serie A, me Milanin dhe Juventusin, që luftojnë dhe vrapojnë, por nuk arrijnë që të krijojnë raste goli.
Milani shfaqet më kërkues në pjesën e dytë, por rastin më të rrezikshëm në këtë 45 minutësh e krijon Morata, që gjuan jashtë me kokë. Juventusi duket sikur është tërhequr dhe Pioli kërkon të përfitojë nga ky moment, duke hedhur në fushë Saelemaekers dhe Bennacer.
Theo Hernandez vë në provë Szczesny, por portieri i bardhezinjve tregohet në lartësinë e duhur. Milani provon sërish me Leao, Giroud dhe Saelemaekers, por nuk arrin që të gjejë dot rrugën e rrjetës.
Duket sikur të dyja skuadrat kanë frikë nga humbja dhe nuk duan që të rrezikojnë. Mungojnë rastet për gol në minutat e mbetura dhe mbyllet 0-0 superndeshja e javës së 23-të të Serie A.
Itali – Serie A – Java e 23-të
Milan-Juventus 0-0