Vjen humbja e parë në kampionat edhe për Utah, skuadra e vetme që nuk kishte provuar disfatën në NBA, që bie në Chicago falë goditjeve të dyshes LaVine-DeRozan.
Washingtoni arrin t’i rrëmbejë fitoren Bostonit, pas dy kohëve shtesë. Philadelphia mund Atlantan, ndërsa Miami shkatërron në transfertë Memphisin. Milwaukee mposhtet në shtëpi nga San Antonio, ndërsa Detroit fiton ndeshjen e parë sezonale në NBA.
CHICAGO BULLS-UTAH JAZZ 107-99
Nuk ka më skuadra të pamposhtura në NBA këtë sezon. Chicago Bulls mposhtin Utah Jazz 107-99 dhe u shkaktojnë humbjen e parë në kampionat. Chicago ka dominuar gjatë gjithë takimit dhe i ka rezistuar përpjekjes së miqve për të rikuperuar në minutat e fundit të ndeshjes.
Ata që udhëheqin vendasit janë Zach LaVine me 26 pikë dhe DeMar DeRozan me 32 pikë. Miqtë ndjejnë mungesën e Mike Conley (është mbajtur vetë pushim) dhe mbrëmjen e keqe të Donovan Mitchell, që ndonëse shënon 30 pikë ka bërë shumë gabime gjatë ndeshjes.
MILWAUKEE BUCKS-SAN ANTONIO SPURS 93-102
Pas katër humbjeve radhazi San Antonio, rigjen fitoren, një sukses me vlera të arritur në shtëpinë e kampionëve në fuqi të NBA. Të udhëhequr nga një Dejounte Murray në superformë (23 pikë) dhe Derrick White (17 pikë), Spurs-at fitojnë në një fushë të vështirë.
Milwaukee pëson humbjen e dytë radhazi në kampionat, pavarësisht 28 pikëve të shënuar nga Giannis Antetokounmpo. Te Bucks-at ndihen mungesat e të dëmtuarve Jrue Holiday dhe Brook Lopez.
MEMPHIS GRIZZLIES-MIAMI HEAT 103-129
Miami arrin një tjetër fitore në një transfertë të vështirë si Memphis dhe ngjitet në krye të renditjes së Konferencës së Lindjes. Gjuajtjet nga distanca bëjnë diferencën, pasi lojtarët e Heat gjejnë rregullisht koshin kur gjuajnë për trepikë.
Jimmy Butler me 27 pikë ka qënë më i miri në fushë për miqtë. Memphis nis shumë keq periodën e parë dhe nuk arrin të rikuperojë më gjatë gjithë ndeshjes. Ja Morant realizon 20 pikë, por nuk vlejnë për ti dhënë suksesin skuadrës së tij, që ka marrë 3 fitore dhe 3 humbje në këtë start të NBA.
Rezultatet e ndeshjeve të mbrëmshme në NBA:
WASHINGTON WIZARDS-BOSTON CELTICS 115-112 (pas 2 Overtime)
PHILADELPHIA 76ERS-ATLANTA HAWKS 122-94
DETROIT PISTONS-ORLANDO MAGIC 110-103
NEW ORLEANS PELICANS-NEW YORK KNICKS 117-123
INDIANA PACERS-TOTONTO RAPTORS 94-97
MINNESOTA TIMBERWOLVES-DENVER NUGGETS 91-93
GOLDEN STATE WARRIORS-OKLAHOMA CITY THUNDER 103-82