Nuk ka surpriza në Kupën e Shqipërisë, favoritët fitojnë në transfertë

Nuk ka surpriza në ndeshjet e vajtjes së turit të dytë të Kupës së Shqipërisë. Skuadrat favorite fitojnë në transfertë dhe hedhin një hap të madh drejt kualifikimit në çerekfinale të kompeticionit të dytë më të rëndësishëm në vend. Tre sfida të këtij turi të Kupës u transmetuan live dhe ekskluzivisht në kanalet Oversport të platformës Tibo.

Tirana dominon Lushnjën në “Roza Haxhiu” dhe vulos fatin e sfidës që në pjesën e parë. Patrick shënon një dygolësh në 20 minutat e para të takimit, ndërsa Hila vulos fitoren 3-0 të bardhebluve në minutën e 23-të.

Edhe Partizani merr një fitore të rëndësishme në Peshkopi përballë Korabit. Skuka zhbllokon sfidën në pjesën e parë dhe dyfishon shifrat sapo nis pjesa e dytë. Korabi ngushton shifrat me Beshiraj, por më pas është Murataj ai që shënon golin e tretë, që firmos fitoren 3-1 të Partizanit në transfertë.

Goli i Jonuzit në pjesën e parë dhe ai i Kainës në kohën shtesë i kanë dhënë fitoren Vllaznisë në transfertën e vështirë në “Adush Muça” përballë Bylisit.

Laçi fiton 3-1 në Berat përballë Tomorit. Spahiu, Babatunde dhe Borysiuk shënojnë golat e kurbinasve. Kastrioti fiton me përmbysje përballë Dinamos me rezultatin 3-1. Kryeqytetasit kalojnë të parët në avantazh me Danaj, por krutanët përmbysin gjithçka falë golave të Hasanit, Zogajt dhe Arapit. / Oversport.tv

Kupa e Shqipërisë / 1/8 e finales – Ndeshjet e vajtjes

Bylis-Vllaznia 0-2

Jonuzi 37’, Kaina 90+3’

Dinamo-Kastrioti 1-3

Danaj 4’ / Hasani 13’, Zogaj 51’, Arapi 90′

Korabi-Partizani 1-3

Beshiraj 61’ / Skuka 38’, 53’, Murataj 81’

Lushnja-Tirana 0-3

Patrick 10’, 20’, Hila 23’

Tomori-Laçi 1-3

Ismailaj 83’ / Spahiu 39’, Babatunde 50’, Borysiuk 62’