Nuk po aktivizohet dhe ka munguar në stërvitje, Musta drejt largimit nga Kukësi

Sezonit po i vjen fundit dhe si gjithmonë shumicës së lojtarëve të kampionatit shqiptar iu përfundon kontrata me klubet respektive, por duket se disa mund të largohen pa u mbyllur ende kampionati.

Kukësi ka zhgënjyer këtë sezon dhe pritet që klubi verilindor të bëjë ndryshime të mëdha në organikë sezonin e ardhshëm.

Sipas asaj që shkruan “Panorama Sport” mbrojtësi i krahut të majtë Emiljano Musta, që u bashkua me kuksianët në merkaton e janarit, nuk do të jetë pjesë e skuadrës edicionin e ardhshëm.

Lojtari nuk është grumbulluar nga tekniku Longo në dy sfidat e fundit në kampionat, madje e përditshmja thekson se Musta nuk është paraqitur në seancat stërvitore të ditëve të fundit dhe klubi nuk ka njoftuar për shkaqet e mungesës së tij. / Oversport.tv