Numrat janë me skuadrën e Spallettit, në Napoli kanë filluar të ëndërrojnë

Një fitore tjetër spektakolare për Napolin e Spallettit në transfertën ndaj Sampdorias. Në këto ndeshje të para të kampionatit, Napoli ka arritur vetëm fitore. Një tjetër fitore me goleadë, për një skuadër që vazhdon të japë spektakël në fushën e lojës.

Vetëm dy herë në histori Napoli e kishte nisur kampionatin me pikë të plota në 5 javët e para: në sezonin 1987/1988 me Ottavio Bianchi dhe 30 vjet më pas me Maurizio Sarri. Por në të dyja rastet Napoli e përfundoi kampionatin në vendin e dytë dhe tifozët e Napolit shpresojnë të mos ndodhi e njëjta gjë në këtë rast.

Në këtë paraqitje fantastike të Napolit luajnë një rol të rëndësishëm dhe dy sulmuesit Lorenzo Insigne dhe Vittor Osimhen, me golat dhe asistet e tyre. Një tjetër fakt interesant është që në golat e klubit në këtë sezon kanë kontribuar 10 lojtarë të ndryshëm. Vetëm Interi qëndron më lart Napolit, me 11 lojtarë të ndryshëm që kanë realizuar gola.

Në një muaj kampionat, skuadra napoletane ka shënuar 14 gola. Pothuajse 3 gola për ndeshje për skuadrën e Spallettit. Nje nisje më të mirë në këtë aspekt kjo skuadër e ka pasur në sezonet 1957/1958 dhe 2017/2018.

Përveç aspektit ofensiv nuk duhet harruar dhe aspekti difensiv, ku mbrojtja dhe portieri kanë bërë paraqitje shumë të mira. Ia vlen të përmendim edhe faktin që Napoli ka pësuar vetëm dy gola në këtë fillim sezoni, më mirë ka bërë vetëm në 4 sezone të historisë së klubit ku ka arritur të pësojë më pak gola. Këto janë numrat e një skuadre që dominon si me lojë por edhe me shifra. / Oversport.tv