Nunez nderon Liverpoolin përballë Southamptonit, 7 gola në sfidën Tottenham-Leeds

Përfundojnë pesë ndeshje në Premier League të vlefshme për javën e 16-të. Liverpool fiton në shtëpi bindshëm përballë Southampton me shifrat 3-1. Për “The Reds” goli i Firminos ishte ai që zhbllokoi rezultatin, ndërsa shkëlqeu edhe sulmuesi uruguaian Darwin Nunez me një dopietë në fundin e pjesës së parë.

Stuhi prej 7 golash në “Tottenham Hotspur Stadium”. Vendasit e Tottenham rrëmbyen një tre pikësh përballë Leeds më rezultatin e ngushtë 4-3. Spurs e panë veten dy herë në disavantazh, por Bentancur arriti të përmbysnin  ndeshjen afër fundit me një dopietë. Më parë për Tottenham realizuan edhe Harry Kane dhe Ben Davies.

Bournemouth arrin të fitojë në shtëpi përballë Evertonit me rezultatin e pastër 3-0. Thellohet kriza e këtyre të fundit që vazhdojnë të qëndrojnë shumë pranë zonës së ftohtë që të zbret një kategori më poshtë.

Nottingham Forest mposht me rezultatin minimal 1-0 miqtë e Crystal Palace. Për vendasit mjaftoi goli i Morgan Gibbs White. Leicester befason në transfertë West Hamin duke e mposhtur me shifrat 2-0. Për “Dhelprat” menduan Maddison dhe Barnes për t’i dhënë pikët e plota. /oversport.tv

Foto: Liverpool FC, Twitter