Oferta të shumta për “yllin” e skuadrës, Partizani ka treguar se nuk i shet lirë talentet

Pak ditë më parë Partizani fitoi titullin kampion dhe për Oversport drejtori Eltoni Marini deklaroi se klubi kryeqytetas synon që të ndërtojë një cikël fitues, duke ruajtur grupin e lojtarëve aktualë të skuadrës.

Por në të njëjtën kohë, Marini pranoi se ndonjë “xhevahir” i klubit do të largohet, nëse oferta për të blerë kartonin e tij është ajo e duhura (si në rastin e Skukës).

Këtë sezon shumë lojtarë spikatën me fanellën e kuqe, por njëri mbi të tjerët, arriti që të grumbullohet edhe me skuadrën kombëtare (i vetmi nga Superiorja) falë paraqitjeve të mira me fanellën e Partizanit.

Andi Hadroj është “ylli” që shkëlqen më shumë te Partizani dhe ofertat për të blerë kartonin e lojtarit kanë mbërritur tashmë në klubin e kuq. Klube turke dhe italiane kanë shfaqur interes për mbrojtësin 24-vjeçar, por drejtuesit e Partizanit kanë treguar se nuk shesin lirë, prandaj po shqyrtojnë me kujdes të gjitha ofertat që kanë mbi tavolinë. / Oversport.tv