Oklahoma kthehet në “makthin” e LA Lakers, fitojnë Phoenix dhe Boston

Los Angeles Lakers mundet sërish në NBA, sërish me përmbyse nga  i njëjti kundërshtari, nga Oklahoma, që fiton 107-104 në transfertë e udhëhequr nga Gilgeous-Alexander, autor i 28 pikëve.

Fitojnë Phoenix dhe Utah: Suns-at mposhtin 123-111 Houstonin, ndërsa Jazz shkatërrojnë 116-98 Atlanta Hawks. Buzëqeshin edhe Boston e Philadelphia, që kalojnë me sukses sfidat respektive përballë Miamit dhe Detroitit.

LOS ANGELES LAKERS-OKLAHOMA CITY THUNDER 104-107

Në “Staples Center” Oklahoma rikuperon disavantazhin e krijuar në tre periodat e para dhe përmbys gjithçka në periodën e katërt, duke fituar të gjithë takimin 107-104, në shtëpinë e Lakers-ave, të cilëve u mungoi lideri LeBron James.

Ai që udhëheq Thunder-at në këtë sukses është sërish Gilgeous-Alexander, që realizon 28 pikë, por në fitore kontribuojnë edhe Dort (17 pikë), Bazley dhe Jerome (14 pikë secili).

Vendasve nuk u mjaftojnë 77 pikët që realizon treshja Anthony Davis (29 pikë), Russell Westbrook (27 pikë) dhe Carmelo Anthony (21 pikë). Vjen humbja e katërt në 9 ndeshje për Lakers, ndërsa Oklahoma shijon suksesin e dytë sezonal përballë të njëjtit kundërshtar, edhe fitorja e parë është arritur përballë LA Lakers.

MIAMI HEAT-BOSTON CELTICS 78-95

Miami pëson humbjen e dytë sezonale dhe i lëshon përkohësisht kreun e Konferencës së Lindjes, Philadelphias, pas humbjes 78-95 që pësoi përballë Bostonit. Ajo që ndikoi në rezultat është padyshim perioda e dytë që u fituar bindshëm 33-9 nga Celtics. Jimmy Butler ka shënuar 20 pikë, por nuk kanë mjaftuar që Miami të fitojë takimin.

PHOENIX SUNS-HOUSTON ROCKETS 123-111

Vazhdon ngritja e nën-kampionëve në fuqi të NBA: Phoenix arrin fitoren e tretë radhazi në kampionat, duke mposhtur 123-111 Houstonin. Pas një pjese të parë të ekuilibruar, Suns-at dominojnë në periodën e tretë (37-25) dhe hedhin bazat e një fitore të rëndësishme.

Booker me 27 pikë është më i miri për vendasit, por në fitore kontribuojnë edhe Shamet (19 pikë) dhe DeAndre Ayton (16 pikë dhe 11 rebound). Houston është i pafuqishëm dhe dorëzohet, ndonëse Kevin Porter realizon 20 pikë dhe Christian Wood 18 pikë.

Ndeshjet e tjera të NBA:

DETROIT PISTONS-PHILADELPHIA 76ERS 98-109

ATLANTA HAWKS-UTAH JAZZ 98-116