Pista që transferon Anatoliy Trubin nga Shakhtari tek Interi është komplikuar më shumë nga sa pritej. Portieri i Kombëtares ukrainase, i cili mbush 22-vjeç në gusht, ka një kontratë që skadon në vitin 2024, por kjo gjë nuk e pengon Shakhtarin që të çojë çmimin në merkato për ta lënë të lirë.
35 milionë euro kërkon klubi ukrainas nga Interi për të derdhur në arkat e klubit në mënyrë që të marrë shërbimet e portierit. Një shifër shumë e lartë për Interin që nuk ka për qëllim të shpenzojë më shumë se 10-15 milionë euro për portierin e talentuar.
Për këtë arsye, ajo që dukej si diçka e mbyllur pas marrëveshjes Andre Onana-Manchester United, tashmë ka frenuar dhe Interi duhet të hedhë sytë për alternativa të reja. Zikaltrit kishin si objektiv që të afronin Trubin së bashku me Yann Sommer të Bayernit, për të pasur në ekip prespektivë dhe eskperiencë, por tashmë alternativa e parë në rast se Shakhtar nuk tërhiqet nga kërkesa mbetet gardiani zvicerian.
Një tjetër alternativë është Hugo Lloris i cili nuk e përjashton mundësinë që të largohet nga Tottenhami pas blerjes së Vicarios. /oversport.tv