Opinion nga Andi Lila, derbi i Tiranës më shumë se një ndeshje futbolli

Partizani-Tirana nuk është vetëm një përballje që zgjat 90 minuta, por një sfidë që vendos përballë historinë, traditën, rivalitetin dhe spektaklin e pafund të Derbit të Kryeqytetit

Për ta nisur nga zanafilla e dy ekipeve, Partizani është klub i themeluar më 4 shkurt të vitit 1946 në Tiranë si klub përfaqësues i partizanëve që luftuan në Luftën e Dytë Botërore. Një nga ekipet më të titulluara të vendit tonë dhe me suksese historike në turnetë europianë. Fanellën e kuqe e kanë nderuar emra si: Panajot Pano, Ylli Shehu, Igli Tare, Erjon Bogdani, Perlat Musta, Refik Resmja e pafund yje të futbollit shqiptar.

Ndërkohë Tirana është themeluar më herët, më 15 gusht 1920 nën emrin Sport Klub Tirana. Bardheblutë janë klubi i futbollit më i suksesshëm në Shqipëri, duke fituar 54 trofe madhorë në vend. Fanellën bardheblu e kanë nderuar emra si: Shkelqim Muça, Indrit Fortuzi, Arben Minga, Agustin Kola, Petrit Dibra, Skënder Hyka, Devi Muka e pafund yje të futbollit shqiptar

Përballja mes këtyre dy emrave të mëdhenj është bërë vetëm për t’u fituar.

Statistikat historike flasin për Demat. Gjatë historisë mes tyre (1947-2022) skuadrat janë përballur në 166 takime, (deri në derbin e 2 tetorit) me bilancin që flet për të kuqtë. Fitorja më e thellë e Partizanit ka qenë në vitin 1947 me rezultatin 8-0, teksa bardheblutë në 1985 kanë fituar kundër Partizanit 7-3.

68 ndeshje janë fituar nga Partizani, kundrejt 46 herëve të Tiranës. 52 përballje mes tyre janë mbyllur në barazim.

Një derbi me shumë rivalitet ishte edhe ai i të dielës, ku bardheblutë vinin të pamposhtur në një derbi prej 568 ditësh. Partizani vinte me petkun e kryesuesit me 12 pikë, +4 nga bardheblutë e vendit të 5-të.

Ndeshjen e të dielës po e nis nga aspekti taktik, Shehi e vendosi Tiranën me rreshtimin 4-3-3 duke i lënë hapësira Partizanit që e priti në 2/3-at  e fushës, përfituar këtu dhe nga shpejtësia e Xhixhës, Hasanit dhe Patrick që ka kualitet, edhe pse në sulmin bardheblu jemi mësuar me lojtarë shtatlartë që mbajnë topin. Mesi i fushës me Kallakun, Deliun dhe Aleksi që qëndrojnë mjaft të afërt dhe i mbyllin zonat mjaft mirë. 4-shja e mbrojtjes Ismajlgeci, Lulaj, Behiratce dhe Toshevski ishin vendosur ngushtë dhe Partizani nuk mundi t’i depërtonte. Gjithë skuadra ishte vendosur afër.

Ndërkohë portieri Bekaj është një siguri për skuadrën dhe nëse Xhixha ishte vendimtar në aspektin sulmues ai ishte në mbrojtje, me pritjet spektakolare që bëri.

Tirana u vendos 4-3-3 por me daljen me të kuq të Lulaj, Shehi përdori planin B duke tërhequr Aleksin në mbrojtje, lojtar që e bëri mjaft mirë këtë rol. Me kalimin e minutave ekipi u mbyll në gjysmëfushë, i kushtëzuar edhe nga fakti që luanin me 1 lojtar më pak, por Tirana gjithmonë u tregua e rrezikshme sepse në sulme Xhixha kapi në befasi Partizani nga krahu i djathtë dhe shënoi një gol, që vjen edhe nga një gabim i Rexhepit.

Duke tentuar të bënte mbrojtësin, ai nuk e kapi topin dhe la portën bosh, me 2 mbrojtësit e kuq që e patën të pamundur të evitonin golin. Pjesa e parë u mbyll në avantazh, por Tirana vuajti me daljen në sulm.

Partizani duke sulmuar harroi prapavijën dhe në goditjen nga këndi la vetëm Matondon pas. Ky lojtar ka kualitet, por la për të dëshiruar me shpejtësinë në këtë moment. Stafi teknik i Partizanit duhet të merrte masat për të mbyllur hapësirat e Xhixhës duke ditur edhe shpejtësinë e tij në kundërsulm. Ky gol i dytë e mbylli ndeshjen. Partizani tentoi me sulme të dëshpëruara, por krosimet me këmbën e kundërt bënë që topi të shkonte gati çdoherë në shtyllën e dytë. Skuka pati raste të mira, por nuk arriti të realizonte.

Këtë lojë Partizani e nisi me skemën 4-4-2 romb, ku Hoti luante në vendin e Carës. Hoti ka zhvilluar ndeshjet e para mjaft të mira dhe i dha ritëm skuadrës. Por duke qenë se Cara ka kualitet në lojën 1 kundër 1, ndoshta duhet të aktivizohej me shpejt dhe ti jepte përparësi një sulmi me krahët Da Silva-Cara dhe Skuka do qëndronte në majën e sulmit.

Skuka e ka të vështirë kur skuadrat kundërshtare mbyllen dhe nuk e merr topin lirisht. Kur Partizani del në kundërsulme ai është mjaft i rrezikshëm, si ndaj Laçit me një sprint rreth 50 metra ku fitoi dhe penalltinë.

Për sa i përket portierit Rexhepi pati 2 tablo, priti një penallti dhe i dha shpresë dhe motiv gjithë ambientit të kuq, por pas disa minutave gaboi në daljen ndaj Xhixhës.

Trajneri Colella ka edhe Alban Hoxhën në pankinë dhe duhet të llogarisë edhe alternativat. Bitri dhe Sota janë mbrojtës të mirë dhe e mbajnë skuadrën lart. Në qarkullim e lojës sillen mirë, por u kapën 2 herë në kundërsulm prej Xhixhës së shpejtë. Dy lojtarët e krahut Buxhelaj dhe Hadroj dolën deri në fundore, por nuk bënë krosime shumë të rrezikshme.

Mesfusha me 4 Matondo-Murataj-Rrapaj-Hoti, në formë rombi e dominuan qarkullimin e lojës, por kur Tirana kapte topin nisej direkt në kundërsulm. Partizani pati kontrollin, por edhe për faktin si erdhi situata, Shehi zgjodhi kundërsulmin. Ai ndryshoi skemë duke nxjerrë Patrick dhe aktivizoi Limaj duke u kthyer në 4-4-1 formë rombi. Në mesfushë kishte balancë duke humbur disi nga krahët, por ai zgjodhi t’i kishte lojtarët kokë më kokë, dhe ja doli në mënyrën më të mirë të mundshme.

Ndërsa për Partizanin nuk pash një plan B, edhe zëvendësimet nuk dhanë rendimet, por skuadra kaloi në ngërç psikologjik pasi me 1 lojtar më shumë pësoi 2 gola.

Megjithatë në përfundim dua të them se Partizani humbi një betejë, por jo luftën.

Vetë termi francez “partisan”, vjen nga latinishtja dhe përshkruan drejtuesin e një beteje, që nuk dorëzohet.

Trajneri Colella duhet të punojë edhe nga ana psikologjike me lojtarët e tij, sepse humbja e një derbi nuk është e lehtë. Kampionati është i gjatë dhe një Partizan në formë do të thotë një kampionat më i bukur.

Po ashtu Tirana fitoi një betejë, por jo luftën. Kampionati sapo ka nisur dhe përpara janë shumë prova të tjera. Bardhebultë treguan në këtë sfidë potencialin e vet, dhe këtë vit duhet të tregojnë forcën ashtu si sezonin e shkuar kur u shpallën kampionë.

Fakti i vetëm që të gjithë biem dakord, është që Partizani-Tirana është një rivalitet që i duhet kampionatit, një duel që të gjithë e shijojmë, vitrina e kampionatit shqiptar, që sjell një atmosferë fantastike, stadium të tejmbushur dhe shumë kualitet në fushë.

Ta ndjekësh këtë derbi nga stadiumi apo kudo nëpërmjet transmetimit të Oversport, është një kënaqësi për ata që e duan futbollin.