Padovan: Juventusi nuk ka më kampionë, Locatelli i vetmi që ka cilësi

Gazetari Giancarlo Padovan ka komentuar situatën e Juventusit për mikrofonat e “Sky Sport”: “Kush është problemi i Juventusit? Mediokriteti i lojtarëve. Ka lojtarë mediokër, nuk ka më kampionë.

Ata që ishin ose janë bërë të vjetër në futboll ose janë zbehur. Po përmend vetëm një emër që ta kuptoni: Morata, që ndoshta nuk ka qenë asnjëherë një kampion i madh.

Një mesfushë në të cilën ka vetëm një lojtar me cilësi, Locatelli. Vitet e kaluara ata që zbrisnin në fushën e lojës nuk ishin shumë të ndryshëm, por ishin më të rinj, kishin më shumë agresivitet, që i bënte që të fitonin ndeshjet ose të paktën të ishin konkuruesë në të gjitha ndeshjet.

Sot për sot këta lojtarë, që janë frute të merkatos së mëparshme, veçanërisht të dy viteve të fundit, të blerë nga Paratici dhe jo nga Marotta, nuk tregojnë as shpirtin dhe as ADN-në e Juventusit. Janë lojtarë të huaj për këtë ADN”, ka thënë gazetari i njohur sportiv. / Oversport.tv