Paganin: Sfida Inter-Napoli, një reklamë për futbollin italian

Java e 13-të e Serie A ofron disa sfida shumë interesante, por padiskutim që përballja më e rëndësishme është ajo e “San Siros”, ku Interi dhe Napoli do të masin forcat të dielën në orën 18:00.

“Nëse Interi do të humbasë do të shkojë 10 pikë larg kreut, por kampionati është akoma i gjatë. Nuk do të jepet titulli në përfundim të kësaj sfide, por është e qartë që një gabim do të bënte shumë të vështirë arritjen e këtij objektivi”, këto janë fjalët e Massimo Paganin, ish-mbrojtësit të Interit për “Calcio Napoli 24 Tv”.

“Sulmi më i mirë i kampionatit do të luajë kundër mbrojtjes më të mirë të Serie A. Nuk besoj se Napoli do të qëndrojë i tërhequr. Nuk është një rastësi që gjendet në krye të renditjes, është një skuadër me baza solide, që e kanë lejuar që të ngjitet në majë.

Do të mundohet të dominojë ndeshjen dhe të imponohet. Kjo sfidë do të jetë një reklamë për futbollin italian”, ka thënë Paganin. /Oversport.tv