Paqe në “Pierluigi Penzo”, Ekuban shpëton Genoan nga humbja

Nuk ka fitues në sfidën Venezia-Genoa. Ekipet u ndalën në një barazim 1-1 duke ndarë nga një pikë që nuk i ndihmon në luftën për mbijetesë. Golit të Henry, iu përgjigj ish-sulmuesi i Partizanit, Caleb Ekuban.

Genoa pati shansin e parë të mirë të shënimit në këtë takim në minutën e 11-të me Andrea Cambiaso, por goditja e mesfushorit nuk e gjeti dot kuadratin e portës. Megjithatë, vetëm dy minuta më vonë Venezia fitoi një goditje këndi.

Aramu harkoi në zonë dhe devijimi i Ceçaronit gjeti të pambuluar Henryn që nga shumë pranë portës e ndali topin në rrjetë. Ishte sërish Venezia që vazhdoi të kërkonte golin e dytë, por Nani u tregua i pasaktë për të ndalur topin në rrjetë.

Nga ana tjetër, Caleb Ekuban vendosi ndeshjen në ekuilibër po në pjesën e parë të takimit. Në një aksion personal, ai dribloi mbrojtjen e Venezia dhe i vetëm përball portierit nuk fali, por shënoi golin që fiksoi rezultatin në 1-1.

Në pjesën e dytë, ndeshja nuk pati të njëjtin ritëm. Në të paktat raste ku porta u rrezikua shumë, spikati një goditje e Aramu që kaloi shumë pranë kuadratit të portës së mbrojtur nga Sirigu.

Kështu ndeshja përfundoi në barazim me të dy ekipet që ndanë nga një pikë. Pikë kjo që i ndihmon mjaftueshëm të dyja ekipet që rrezikojnë të bien nga kategoria. Genoa renditet në vendin e 19-të në kuotën e 16 pikëve, ndërsa Venezia e vendit të 17-të ka grumbulluar 22 pikë. /oversport.tv

SERIE A – JAVA 26
Venezia-Genoa
Shënues:
Henry 13’ / Ekuban 29’