Paqe në Rrogozhinë: Vllaznia ka harruar të fitojë, Egnatia konfirmon forcën e saj

Vllaznia ka harruar të fitojë dhe tashmë sheh t’i largohet kreu i renditjes së Abissnet Superiore. Ndonëse luante në transfertë, skuadra shkodrane nuk ka arritur të marrë më shumë se një pikë përballë Egnatias, pasi sfida në Rrogozhinë ka përfunduar 1-1. Vendasit kalojnë të parët në avantazh, por miqtë baraspeshojnë gjithçka në fund të pjesës së parë.

Egnatia kërkon që të imponojë lojën e saj që në fillim të ndeshjes dhe gjen golin e avantazhit në minutën e 15-të me anë të Besir Isenit. Maqedonasi gjuan bukur nga distanca dhe shënon një gol shumë të bukur. Goli bën me krahë të besuarit e Maganit, që me të zakonshmin Pedro Augusto, rrezikojnë të shënojnë të dytin, por Zogovic ndalon gjithçka.

Vllaznia kërkon të reagojë dhe fillon të shfaqet në portën e Egnatias. Shkodranët pretendojnë një penallti për një ndërhyrje në zonë të portierit Puja ndaj Latifit. Ndërhyn Var dhe gjyqtari Bajramaj jep penallti për miqtë. Latifi tregohet i saktë nga pika e bardhë dhe 45 minutat e para mbyllen në barazim 1-1.

Pjesa e dytë sheh sërish Egnatian në sulm, por traversa shpëton Vllazninë nga pësimi i golit të dytë. Latifi është më i rrezikshmi për të tijtë, por nuk arrin që të konkretizojë. Skuadrat mundohen që të fitojnë ndeshjen, por në përfundim të 90 minutave duhet të kënaqen me nga një pikë.

Të dyja skuadrat kanë nga 10 pikë në renditje dhe qëndrojnë në mesin e artë të renditjes së Abissnet Superiore. Egnatia tregon se është një skuadër cilësore, e denjë për tu matur me çdo kundërshtar, ndërsa Vllaznia sheh ti largohet akoma më shumë kreu, që tashmë është 10 pikë larg. /Oversport.tv

Abissnet Superiore-Java e 8-të/Rezultatet

Egnatia-Vllaznia 1-1

Iseni 15’/ Latifi 45’ (pen)