Paraguai zgjedh pasardhësin e Berizzos, Schelotto trajneri i ri

Ish-trajneri i Palermos, Guillermo Barros Schelotto është trajneri i ri i kombëtares së Paraguait. Këtë lajm e ka bërë të ditur vetë Federata e Futbollit e Paraguait përmes një deklarate, duke theksuar se kontrata e firmosur do jetë e vlefshme deri në fund të vitit 2024.

Tekniku argjentinas zë vendin e bashkë atdhetarit Eduardo Berizzo që u shkarkua pas humbjes 4-0 në Bolivi, një ndeshje e vlefshme për kualifikueset e Kupës së Botës, Katar 2022. Debutimi i teknikut të ri në krye të pankinës së Paraguait, do të jetë në 11 nëntor në sfidën kundër Kilit.

Në renditjen e grupit, Paraguai e sheh veten 4 pikë larg vendit të katërt, biletës së fundit që të kualifikon direkt në finalet e Kupës së Botës. Në karrierën e tij si trajner, ish-ylli i Bocas si lojtar, ka drejtuar për një periudhë të shkurtër edhe Palermon në sezonin 2015/2016. /Oversport.tv