Ergys Kaçe zyrtarisht është i Partizanit. Mesfushori ka zbarkuar në kryeqytet dhe ka nënëshkruar me “demat”, që më pas kanë dalë edhe me komunikatë zyrtare.
“FK Partizani me kënaqësi njofton në ditën e fundit të merkatos arritjen e marrëveshjes me Ergys Kaçen. Mesfushori i spikatur i kombëtares kuqezi, bashkohet me 16 herë kampionët e Shqipërisë, pas eksperiencave të suksesshme në Superligën Greke.
Drejtuesit dhe 28 vjeçari kanë mbyllur pozitivisht marrëveshjen duke nënshkruar kontratën një vjeçare me opsion rinovimi edhe për sezonin pasardhës.
PAOK, Anagennisi Epanomi, Panathinaikos, AEL, Viktoria Plzeň dhe Aris kanë qenë ekipet në të cilat Kaçe është aktivizuar duke dhuruar prezantime shumë pozitive.
Në ekipin tonë përfaqësues mesfushori i njohur regjistron 25 ndeshje duke realizuar edhe dy gola.
Me fanellën e kuqe Kaçe do të provojë edhe eksperiencën e parë në kategorinë superiore”, – shkruan në faqen zyrtare klubi kryeqytetas. / oversport.tv