Partizani gjen fitoren e parë në kampionat, Laçi triumfon përballë Teutës

Janë luajtur sot dy ndeshje të javës së tetë të Abissnet Superiore. Pas një pritjeje të gjatë (plot 7 javë) Partizani arrin të marrë fitoren e parë në kampionat, pasi ka mposhtur 2-0 në transfertë Kastriotin.

Ka qenë një pjesë e parë e ekuilibruar, por ka qenë Musta ai që ka kaluar Partizanin në avantazh, pasi ka ekzekutuar shumë bukur një goditje dënimi në minutën e 37-të të takimit.

Në pjesën e dytë Kastrioti mundohet të reagoje dhe Neziri provon të shënojë, por është portieri Aldo Teqja që ruan portën e kuqe të paprekur. Vendasit provojnë sërish me Grecën, por nuk arrijnë të barazojnë.

Në minutën e 75-të Partizani shënon edhe golin e dytë me anë të Sembene, por pas ndërhyrjes së VAR, goli anulohet për pozicion të parregullt të Mustës.

Goli i sigurisë vjen në minutën e fundit të kohës së rregullt, kur pas një kundërsulmi Rrapaj shënon golin e dytë për Partizanin.

Një ndeshje mjaft e luftuar është zhvilluar edhe në Laç, aty ku vendasit kanë mposhtur 2-0 kampionët në fuqi të Teutës. Mazrekaj ka zhbllokuar sfidën në minutat e fundit të pjesës së parë, me një goditje dënimi.

Teuta mundohet të reagojë në pjesën e dytë, por nuk arrin dot që të shënojë. Durrsakët mbeten me 10 lojtarë në minutën e 80-të, pasi Jackson ndëshkohet me karton të kuq.

Në minutat shtesë është Guindo, që shënon golin e dytë për Laçin dhe vulos përfundimisht rezultatin e kësaj sfide, që mbyllet pas 98 minutave lojë. /Oversport.tv

 

Abissnet Superiore-Java e 8-të /Rezultatet

Laçi-Teuta 2-0

Mazrekaj 43’, Guindo 90+1’

Kastrioti-Partizani 0-2

Musta 37’, Rrapaj 90’