Partizani “mbret” i orës së fundit, sa shumë afrime te të kuqtë në merkato

Është mbyllur zyrtarisht merkatoja në Shqipëri. Kanë qënë të shumta lëvizjet e skuadrave, të cilat kanë pasuruar organikën e tyre me elementë cilësorë. Partizani mund të quhet mbreti i merkatos, në ditën e fundit të saj. Pasi zyrtarizoi Ergys Kaçen, klubi i kuq njoftoi se ka firmosur edhe me tre lojtarë afrikanë që shihen si talente të së ardhmes: Sembene Pape Saliou, Gueye Maguette dhe Camara Aboubacar.

“Mbrojtësi Pape dhe mesfushori Maguette respektivisht 19 dhe 18 vjeç nga Senegali dhe mesfushori me tipare sulmuese Aboubacar 19 vjeç nga Bregu i Fildishtë vijnë nga shkolla të njohura të futbollit Afrikan. Të tre lojtarët e rinj konsiderohen mjaft premtues dhe kanë nënshkruar kontrata katër vjeçare për të qenë pjesë e projektit afatgjatë të klubit”-shkruhet në faqen e klubit.

Dean Liço dhe Xhafer Hodo gjithashtu kanë firmosur me skuadrën e kuqe në ditën e fundit të merkatos.

Kukësi ka plotësuar organikën duke blerë sulmuesin moldav Artiom Puntus në orët e fundit të merkatos. 26-vjeçari vihet në dispozicion të teknikut Longo, që kishte kohë që kërkonte një sulmues qëndre.

Edhe Kastrioti nuk ka qëndruar pasiv, ditën e fundit të merkatos. Edon Hasani do të luajë me krutanët këtë edicion të Superligës. Mikael Sulka dhe Skender Qato janë dy afrime të tjera të skuadrës së Ndreut. /Oversport.tv