Partizani me zero fitore, ja skuadrat në Europë që e ngushëllojnë

Janë luajtur 6 javë në Kategorinë Superiore, por skuadra e Partizanit ende nuk e ka shijuar fitoren e parë. “Demat e Kuq” janë në krizë totale dhe humbën gjithashtu derbin, i cili mund të rezultojë fatal për fatet e këtij sezoni. Ekipi i Ilir Dajës ka arritur të marrë 4 barazime dhe 2 humbje.

Megjithatë, nuk janë të vetmit që në këtë kampionat nuk kanë fituar. Është edhe Skënderbeu. Problemi është se Partizani është ndërtuar për titull dhe ka bërë investime të mëdha.

Për të gjetur skuadra që ende nuk kanë fituar asnjë ndeshje në këtë sezon nuk është e lehtë. Në fakt nuk është as e vështirë, por bëhet fjalë për ekipe që nuk kanë fare pretendime. Në Itali dhe në Holandë të gjitha e kanë provuar shijen e 3 pikëshit, ndërsa në Angli është Burnley, Newcastle dhe Norwich. Edhe në Spanjë Getafe me Levanten nuk e dinë çfarë është fitorja, po ashtu si Brest dhe St. Etiene në Francë.

Rekordin e ka Pelisteri me 11 ndeshje pa fitore. Por këto statistika nuk mund të shërbejnë si ngushëllim për ekipin e Partzanit, pasi asnjë nga të mësipërmet nuk ka historinë dhe objektiva të mëdha në këtë sezon. Ndeshja e radhës për të kuqtë është ndaj Egnatias, ku ekipi i kryeqytetit duhet patjetër të ndryshojë trendin dhe të provojë të marrë fitoren e parë. /oversport.tv