Partizani ngjitet i treti dhe sheh Europën, Stenio Junior ndëshkon Kukësin

Partizani merr një fitore të çmuar 1-2 në “Kukës Arena” dhe pas këtij suksesi qëndron i vetëm në vendin e tretë në renditjen e Superiorës. Kryeqytetasit marrin një tre pikësh të artë përballë një rivali direkt dhe tashmë e shohin veten në zonën që të çon në Kupat e Europës.

Stenio Junior ka qenë heroi i “të kuqve” në këtë sfidë, pasi me 2 golëshin e shënuar ka afruar skuadrën e Mehmetit drejt objektivave sezonalë. Vazhdon të zhgënjejë Kukësi, që pas kësaj disfate vë në diskutim pjesëmarrjen në Kupat e Europës.

Të besuarit e Longos kanë harruar të fitojnë (7 ndeshje radhazi pa fitore) dhe duket se edhe faktori fushë nuk po jep ndonjë impakt të madh në skuadër. Milunovic shënon golin e parë kuksian në stadiumin e ri, por ai nuk mjafton që vendasit të evitojnë humbjen.

Partizani jep sinjalin e parë dhe godet traversën me Stenio Junior, ndërsa Kukësi përgjigjet menjëherë me De Lucas. Ndeshja është e luftuar, madje ka edhe tension mes lojtarëve, pas një faulli në fushën e blertë.

Miqtë zhbllokojnë sfidën me Stenio Junior, që dërgon në rrjetë një top të gjuajtur me kokë. Skuka mund të dyfishojë në aksionin pasardhës, por topi i tij ndalet në shtyllë. Vendasit mundohen të reagojnë, por është sërish Partizani që gjen golin me Stenio Junior.

Vendasit nisin më mirë pjesën e dytë dhe shkurtojnë diferencat me Milunovic, që çon në 1-2 rezultatin e sfidës. Kukësi hidhet në sulm në kërkim të golit të barazimit, ndërsa Partizani zbret rrezikshëm në kundërsulm.

Minutat kalojnë dhe shtohet tensioni mes palëve, që mbyllin ndeshjen me nga 10 lojtarë. Nuk mjaftojnë as 10-të minutat shtesë që të ndryshojë rezultati i kësaj sfide. Partizani sheh Europën dhe shkëputet i vetëm në vendin e tretë, ndërsa Kukësi ka humbur busullën dhe tashmë është në rënie të lirë. / Oversport.tv

Foto: FK Partizani Albania Facebook

Shqipëri-Superiore / Java e 32-të

Kukësi-Partizani 1-2

Milunovic 52’ / Stenio Junior 26’, 40’