Partizani-Tirana luhet në stadiumin “Air Albania” prej orës 19:45 dhe policia e shtetit ka marrë masa për mbarëvajtjen e saj. Nga ora 16:00 do të ketë rrugë të bllokuara pranë stadiumit, ndërkohë që theksohet se nuk do të lejohen grumbullimet.
Sigurisht në hyrje të stadiumet do të ketë kontroll fizik për të parandaluar futjen e sendeve të forta apo të mjeteve piroteknike. Një tjetër porosi për tifozët është mjeti i identifikimit, që duhet treguar në hyrje të stadiumi.
MASAT – Policia e Tiranës, plan masash për ruajtjen e rendit dhe sigurisë para, gjatë dhe pas zhvillimit të ndeshjes së futbollit midis ekipeve Tirana dhe Partizani, që do zhvillohet më datë 23.12.2021, në orën 19:45, në stadiumin “Air Albania”.
Masat e marra nga Policia e Tiranës konsistojnë jo vetëm në ambientet e stadiumit, por dhe në një perimetër më të gjerë jashtë tij.
Në këtë kuadër do të ketë bllokime të disa segmenteve rrugore, si dhe bllokime të pjesshme të disa segmenteve rrugore, gjatë momentit të kalimit të tifozëve.
Segmentet rrugore që do të jenë të bllokuara, nga ora 16:00 deri në përfundim të aktivitetit, janë:
– Rruga “Lek Dukagjini” përreth stadiumit, rruga “Dervish Hima”, rruga “Gjergj Filipi”, rruga “Papa Gjon Pali II”, nga kryqëzimi me rrugën “Ismail Qemali” deri tek stadiumi “Air Albania” dhe bulevardi “Dëshmorët e Kombit”, nga presidenca deri te sheshi “Nënë Tereza”.
Do të ketë bllokim të pjesshëm të rrugëkalimeve të tifozëve, si më poshtë:
– Lëvizja e tifozëve të Tiranës: Nga Teatri i Operas dhe Baletit, bulevardi “Dëshmorët e Kombit”, rruga “Bajram Curri”, Rruga e Elbasanit, rruga “Dervish Hima” – stadiumi.
– Lëvizja e tifozëve të Partizanit: Kryqëzimi i rrugës “Muhamet Gjollesha” me rrugën “Artan Lenja”, përgjatë rrugës “Muhamet Gjollesha”, rruga “Sulejman Delvina”, rruga “Gjergj Filipi” – stadiumi.
Policia do të garantojë dhe do të sigurojë lëvizjen e tifozëve përgjatë rrugëkalimeve të caktuara dhe nuk do të lejojë grumbullim apo kalim të tifozëve jashtë itinerarit të caktuar.
Policia e Tiranës kërkon mirëkuptimin e tifozerive respektive, për zbatimin e detyrimeve të mësipërme, si dhe mirëkuptimin e qytetarëve për të evituar lëvizjen me automjete në segmentet rrugore të lartpërmendura në oraret e caktuara.
Po në zbatim të planit të masave, do të ushtrohen kontrolle ndaj tifozëve para hyrjes në stadium për sende të kundërligjshme (si armë, sende të forta, bidonë uji, çadra, çelësa metalik apo lëndë piroteknike etj). Çdo tifoz duhet të jetë i pajisur me dokument identifikimi.
Nuk do të lejohen të futen në stadium persona pa dokument identifikimi, si dhe fëmijët nën moshën 16 vjeç, pa praninë e prindërit apo kujdestarit.
Gjithashtu, nuk do të lejohen të futen në stadium të gjithë ata tifozë të cilët në aktivitete të ndryshme sportive janë të identifikuar nga Policia, si tifozë problematikë.
Policia ju bën me dije se në rastet e prishjes së rendit dhe qetësisë publike, do të ndërhyjë si në ambientet e jashtme të stadiumit, ashtu dhe në ambientet e brendshme, për rivendosjen e rendit dhe shoqërimin e personave që do shkaktojnë trazira apo kryejnë veprime antisportive.
Policia e Tiranës edhe njëherë apelon për tifozëritë e dy skuadrave që të zbatojnë rregullat dhe ligjin.
/ oversport.tv