Partizani-Tirana do të jetë finalja e Kupës së Pavarësisë, të kuqtë mposhtin Pejën

Finalja e Kupës së Pavarësisë në Volejboll të cilën keni mundësi ta ndiqni live dhe ekskluzivisht në Oversport dhe Tibo ka rezervuar një derbi të kryeqytetit ku Tirana dhe Partizani do të përplasin brirët për të ngritur në qiell trofeun. Pas triumfit të Tiranës ndaj Lubotenit, Partizani është finalisti i dytë që shpallet pasi mposhti në gjysmëfinale ekipin e Pejës 3-0 me sete.

“Demat e Kuq” ishin dukshëm dominues në këtë takim ku nuk e vunë asnjë moment në dyshim finalen e madhe. Seti i parë u mbyll me shifrat 25-22 ku Partizani tregon menjëherë forcën e vetë.

Në setin e dytë djemtë nga Peja kërkojnë të ndryshojnë fatin e këtij takimi, por në fund është sërish Partizani që triumfon në shifrat 25-21. Seti final u mbyll me rezultatin 25-20 dhe tashmë Partizani do të zhvillojë më 27 nëntor finalen e madhe me Tiranën.

Finalja do të startojë në orën 19:00 dhe do të keni mundësi ta ndiqni live dhe ekskluzivisht në Oversport dhe Tibo. Kjo nuk do të jetë e vetmja finale më 27 nëntor pasi në orën 16:00 do të zhvillohet dhe ajo midis Skënderbeut dhe Partizanit për femra. /oversport.tv