Partizani dhe Vllaznia do të ndeshen me njëra-tjetrën në orën 19.45 në “Elbasan Arena” në një sfidë të vlefshme për javën e tretë të “Abissnet Superiore”.
Dy skuadra që kanë shkruar historinë e futbollit shqiptar, dy skuadra me pretendime të mëdha këtë sezon, do të masin forcat në një përballje direkte në Elbasan.
Partizani ka nisur dobët sezonin, duke grumbulluar vetëm një pikë në 2 ndeshjet e luajtura në kampionat. “Fitorja është detyrim”-deklaroi tekniku Daja në prag të kësaj sfide, prandaj “të kuqtë” do të bëjnë të pamundurën që të marrin trepikëshin e parë sezonal përballë Vllaznisë.
Miqtë nga Shkodra janë në një pozicion më komod në renditje, me 4 pikë të grumbulluara në 2 takime të luajtura. Pas barazimit në “Loro Boriçi” ndaj Teutës, Vllaznia kërkon të rikthehet tek fitorja, duke synuar suksesin përballë një rivali direkt, që të mos humbasë kontaktin me skuadrat e kreut.
Ndonëse jemi vetëm në javën e 3-të të kampionatit, rezultati i ndeshjes së sotme ka rëndësi të madhe për të dyja skuadrat, sepse përcakton objektivat realë sezonalë si të Partizanit edhe të Vllaznisë.
Partizani-Vllaznia është ndeshja e vetme e kampionatit shqiptar ditën e sotme, ndërsa nesër luhen takimet Laçi-Kukësi dhe Egnatia-Skënderbeu. / Oversport.tv