Përballen dy klube me histori, Bologna e Genoa kërkojnë të harrojnë humbjet

Dy skuadra në kërkim të tre pikëve për të harruar humbjet e javës së fundit në kampionat. Bologna dhe Genoa vijnë në ndeshjen hapëse të javës së 5-të të Serie A me objektiva të qartë, të rikthehen sa më shpejt tek suksesi pas humbjeve respektive kundër Interit dhe Fiorentinës.

7 pikë ka grumbulluar në këto 4 javë të para të kampionatit skuadra e drejtuar nga Sinisa Mihajlovic, ndërsa vetëm 3 pikë ka në renditje Genoa.

Në stadiumin “Dall’Ara” zbresin dy skuadra që kanë shkruar historinë e futbollit Italian, 7 tituj ka fituar Bologna dhe 9 Genoa, por këto suksese duket se i ka mbuluar pluhuri i historisë, pasi të dyja skuadrat nuk ngjiten në majën e futbollit italian prej shumë kohësh (në vitin 1964 titulli i fundit i Bolognas, në vitin 1924 ai i fituar nga Genoa).

Nuk ka probleme me mungesat tekniku Sinisa Mihajlovic, por vetëm disa dyshime në lidhje me formacionin që do të hedhë në fushën e blertë. Edhe tekniku i miqve Davide Ballardini ka në dispozicion të gjithë organikën për transfertën e sotme, por dyshimet për formacionin titullar janë të mëdha, edhe për shkak të kalendarit të ngjeshur.

Sfidën Bologna-Genoa mund ta ndiqni Live në orën 18.30 në kanalin Oversport 1.

Formacionet e mundshme:

Bologna (4-3-3): Skorupski; De Silvestri, Medel, Soumaoro, Hickey; Svanberg, Dominguez, Soriano; Orsolini, Arnautovic, Sansone.

Genoa (4-2-3-1): Sirigu; Cambiaso, Vanheusden, Maksimovic, Vasquez; Badelj, Tourè; Kallon, Hernani, Fares; Destro.