Supersfida e javës së dytë të kampionatit shqiptar është padyshim përballja Vllaznia-Teuta, që do të luhet sot në orën 19.45 në “Loro Boriçi”.
Dy skuadrat që rivalizuan për titullin kampion deri në javën e fundit të sezonit të kaluar, vijnë në këtë edicion të ri të “Abissnet Superiore” me pretendimet e vjetra. Si shkodranët edhe durrsakët synojnë majën e klasifikimit, prandaj sfida e sotme merr vlera të mëdha. Dy skuadrat u përballën edhe në Superkuën e Shqipërisë, një sfidë që u fitua nga Teuta 3-0.
Vllaznia debutoi në mënyrën më të mirë, duke fituar me goleadë 3-5 në transfertën kundër Laçit. Kuqeblutë kërkojnë suksesin e parë sezonal në shtëpi, duke synuar maksimumin përballë një rivali direkt si Teuta.
Edhe kampionët në fuqi të vendit nisën mirë kampionatin, duke mposhtur 1-0 Partizanin në ndeshjen hapëse të sezonit. “Djemtë e detit” kërkojnë një tjetër rezultat pozitiv në transfertën shkodrane.
Skenderbeu-Partizani në orën 16.45 është ndeshja tjetër e ditës në “Abissnet Superiore”. Të dyja skuadrat janë mposhtur në javën e parë dhe sot kërkojnë të reagojnë duke synuar pikët e para në kampionat. Partizani i Ilir Dajës synon titullin edhe në këtë sezon, ndërsa djemtë e Memellit kërkojnë që të sigurojnë sa më shpejt qëndrimin mes më të mirave të Shqipërisë./Oversport.tv