“Përbindëshi” Giannis thyen Lakers! Bien Wizards, festojnë Nets dhe Suns

NBA ka vetëm spektakël! Washington Wizards janë ndalur, pasi mbrëmjen e djeshme i ka mposhtur Charlotte Hornets me rezultatin 97-87. Gjithçka u vendos në periodën e tretë, kur Hornets realizuan 16 pikë më shumë se kryesuesit e Konferencës së Lindjes. Vendasit bënë një lojë ekipore të mirë, pasi 6 basketbollistë shënuan mbi 10 pikë.

Brooklyn Nets janë kthyer te fitorja, pasi triumfuan 109-99 kundër Cleveland Cavaliers. James Harden ishte fantastik, me 27 pikë, 7 asiste dhe 10 rebounds, ndërkohë që Durant, Mills dhe Aldridge shënuan nga 23, 21, dhe 24 pikë secili. Kjo ishte fitorja e 11-të për Nets.

Në të njëjtën shifër fitoresh ka shkuar edhe Phoenix Suns, që theu Dallas Mavericks 105-98. Gjithçka u vendos në periodën e fundit dhe skuadra nga Teksasi e vuajti mungesën e yllit të saj, Luka Doncic. Porzibgis ishte në lartësi si zakonisht me 21 pikë, 7 asiste e 8 rebound, ndërkohë që Tim Hardaway Jr. shënoi 22 pikë. Devin Booker realizoi 24 pikë për Suns.

Chicago Bulls është befasuar në pjesën e dytë nga Portland Trail Blazers, që e përmbysën ndeshjen dhe fituan 112-107. Damian Lillard (22 pikë, 10 asiste, 4 rebounds) spikati, por ishin edhe 5 basketbollistë të tjerë të Blazers që realizuan mbi 10 pikë dhe dhanë kontribut të rëndësishëm. 30 pikët e Zach LaVine dhe 22 pikët e DeMar DeRozan shkuan dëm.

Miami Heat është në rrugë të mbarë, pasi mposhti 113-98 New Orleans Pelicans. Jimmy Butler ishte ylli i kësaj ndeshje, me “triple-double”: 31 pikë, 10 asiste, 10 rebounds. Kampionët e Milwaukee Bucks, që nuk e kanë nisur mirë sezonin, shpërthyen kundër Los Angeles Lakers dhe fituan 109-102.

Giannis Antetokounmpo ishte një përbindësh në parket, pasi shënoi 47 pikë, si dhe regjistroi 3 asiste e 9 rebounds. Talen Horton-Tucker (25 pikë, 13 rebounds) dhe Russell Westbrook (19 pikë, 15 asiste) u munduan ta ndalin, por pa sukses. Më poshtë ju sjellim rezultatet e të gjitha ndeshjeve të mbrëmjes në NBA. / oversport.tv