Përcaktohen 12 ekipet, si funksionon faza “play off” për Botërorin e Katarit

Janë përcaktuar kështu 10 ekipet europiane që kanë prerë një biletë direkte për “Katar 2022”. Ato janë Serbia, Spanja, Zvicra, Franca, Belgjika, Danimarka, Holanda, Kroacia, Anglia dhe Gjermania. Gjithashtu janë ndarë edhe 10 ekipet që kanë dalë në vendin e dytë për këtë kompeticion.

Ato janë Portugalia, Suedia, Italia, Ukraina, Uellsi, Skocia, Turqia, Rusia, Polonia dhe Maqedonia e Veriut. Të gjitha ekipet e dyta do të marrin pjesë në fazën “play off” për të garantuar edhe ato një vend në “Qatar 2022”, por si funksionon faza e “play off”?

Do të jenë 12 ekipe që do të marrin pjesë në këtë fazë, 10 ekipet që kanë dalë të dytat në grupe, dhe dy të tjerë që kanë dalë si më të mirët e Nations League, përkatësisht Austria dhe Republika Çeke. Ekipet do të ndahen në dy nëngrupe që do të quhen “koka grupi” dhe “jo koka grupi”.

Tek “kokat e grupit” do të bëjnë pjesë gjashtë ekipet që kanë arritur më shumë pikë në këtë kompeticion (Portugalia, Skocia, Italia, Rusia, Suedia, Uellsi). Ndërsa te “jo kokat e grupit” do të bëjnë pjesë katër ekipet që kanë grumbulluar më pak pikë (Turqia, Polonia, Maqedonia e Veriut, Ukraina), plus dy kombëtaret që kanë ardhur nga Nations Legue (Austria dhe Çekia).

Si pasojë ekipet do të ndeshen me njëra-tjetrën në tre gjysmëfinale të ndara. Më pas ato do të ndeshen përsëri në një finale dhe tre fitueset e finaleve do të shkojnë në “Katar 2022”.

Për sa i përket shortit ai do të hidhet në 26 nëntor ndërkohë që sfidat “play off” do të luhen më datat 24-25 mars dhe 28-29 mars. /oversport.tv