Perez beson ende te Superliga: Duhet të modernizohemi, të rinjtë e duan më pak futbollin

Presidenti i Real Madrid, Florentino Perez nuk e hedh poshtë mundësinë e krijimit të Superligës. Në këtë projekt bashkë me të janë dhe presidenti i Juventusit, Andrea Agnelli dhe ai i Barcelonës, Joan Laporta. Presidenti i “Los Blancos” mori pjesë në ndarjen e çmimeve “Golden Boy” ku dha një deklaratë për mediat dhe foli më shumë rreth projektit.

“Futbolli është i vetmi sport universal dhe global. Ne nuk mund të lejojmë sporte të tjera që të jenë me të organizuar dhe të orientuar drejt ndryshimit dhe modernizimit. Unë po punoj si paraardhësit e mi për t’iu përshtatur kohërave që po jetojmë. Nuk mund t’i lejojmë të rinjtë të duan futbollin gjithnjë e më pak sepse ndeshjet që ofrojmë ne janë më pak tërheqëse. Duhet të reflektojmë të gjithë së bashku. Ne po punojmë për këtë dhe unë do të luftoj me të gjitha forcat që futbolli mos të humbasë vlerat e tij.”

BENZEMA – “Benzema është lojtari më i mirë në botë. Më kujtohet kur e morëm nga Lyon në 2009, shkova në shtëpinë e tij sepse ai ishte fëmijë, vetëm 20 vjeç. Ai ka të paktën dy vite që e meritonte Topin e Artë. Për mua Benzema është n një grup klasi me Zidane dhe Ronaldo Nazario.”

ANCELOTTI – “Ai është trajneri më i mirë për Real Madridin sepse na njeh prej shumë vitesh. Ancelotti i njeh vlerat tona dhe di si t’ia përcjellë ato lojtarëve. Kjo e bën atë një trajner perfekt. Është e vështirë që të gjesh një trajner më të mirë se Ancelotti.” – tha Florentino Perez. /oversport.tv

Foto: Real Madrid C.F. Facebook