Perez në sulm: UEFA tregon histori të rreme, Super League është liri

Florentino Perez i është rikthyer debateve me UEFA-n për krijimin e Super League, me fjalimin e mbajtur gjatë asamblesë së aksionerëve të Real Madrid. Kreu i klubi spanjoll nuk është kursyer në deklaratën e tij dhe fillimisht shprehet:

“Për shkak të pandemisë ne jemi përpjekur të ndryshojmë dinamikën e futbollit, që ai të mos vdesë. Super League është liri, transparencë, lojë e ndershme financiare dhe solidaritet. Super League është projekti që më në fund do të mbrojë ‘Fair-Play’-in financiar. Të dhënat tregojnë se të rinjtë po largohen nga futbolli, po humbasim tifozët”.

Më tej Perez shton: “Formati i Champions League është i gabuar dhe nuk duhet të vazhdojë më. Ajax, pasi arriti në gjysmëfinale, u detyrua të luante në pre-eliminatore sezonin e ardhshëm. Super League do të jetë e hapur për ndryshime në çdo moment. Klubet e mëdha në Europë kanë përgjegjësinë të mendojnë për të ardhmen e futbollit.

Jemi ne, jo UEFA, që mbajmë të gjitha kostot dhe rreziqet operacionale. 12 nga klubet më të rëndësishme në Europë kanë shpallur Super League dhe kanë themeluar një shoqatë me qendër në Madrid. UEFA ka refuzuar çdo dialog me Super League dhe ka treguar një histori të rreme.

Nuk është e pranueshme që presidenti i UEFA-s të ofendojë presidentin e një prej klubeve më të rëndësishme në histori. Këto kërcënime dhe presione nuk prekën vetëm tre klube që kanë fituar gjithsej 20 Champions League. Këto klube punojnë për të siguruar që futbolli të vazhdojë të jetë interesant për gjeneratat e reja.

Gjithsesi më duhet t’i kujtoj UEFA-s se kush është Real Madrid: Është klubi më i suksesshëm në historinë e futbollit që ka vazhduar traditat e futbollit kur ato ishin në rrezik. Ajo që është më e rëndësishme është se drejtësia spanjolle e ka ngritur çështjen në drejtësinë europiane”. / oversport.tv