Përfundon zyrtarisht aventura e Edy Rejas me Shqipërinë, kush do të jetë pasardhësi?

Shqipëria është zyrtarisht pa trajner. Kontrata e Edoardo Rejas përfundoi dhe Federata Shqiptare e Futbollit është në kërkim të trajnerit që do të pasojë 77-vjeçarin. Reja e mbylli aventurën e tij te Shqipëria me një fitore 2-0 përballë Armenisë, ndërsa zhgënjimi më i madh erdhi në fushatën e fundit të Nations League ku Kombëtarja kuqezi u rendit e fundit.

Emrat që pritet të zëvendësojnë Edoardo Rejan vijnë kryesisht nga Italia me ish-trajnerin e Milanit, Marco Giampaoli që qëndron në “pole position”. Nga mediat italiane, është përfolur gjithashtu edhe emri i Luigi Di Biagos i cili aktualisht është pa ekip pas aventurës së tij te Spal.

Një tjetër emër i madh i futbollit që është përfolur për të marrë drejtimin e stolit kuqezi është edhe mesfushori legjendar i Interit, Esteban Cambiasso, ndërsa si kandidat shqiptar është përfolur emri i Besnik Hasit i cili është lidhur edhe më parë me Kombëtaren shqiptare. Megjithatë, nuk përjashtohet as mundësia që Edy Reja të rinovojë edhe pse shanset më të shumta janë që në stol të ulet një tjetër trajner. /oversport.tv