Përmbysje e çmendur e Empolit, Sampdoria zbret në tokë Veronën

Empoli ka përmbysur në 2 minuta Fiorentinën dhe arrin të fitojë derbin toskan 2-1. Miqtë kalojnë në avantazh me të zakonshmin Vlahovic dhe kur dukej se po shkonin drejt suksesit të radhës, Empoli përmbys gjithçka me dy gola të shënuar në minutat e fundit të takimit. Në fillim Bandinelli barazon sfidën dhe 1 minutë para përfundimit të kohës së rregullt, Pinamonti shënon golin e fitores.

Fiorentina shfaqet rrezikshëm në fillim me Biraghi e Milenkovic dhe më pas me Saponaran dhe Martinez Quarta, që humbet një rast të pastër. Parisi rrezikon autogolin, e shpëton traversa dhe më pas Bonaventura nuk arrin të shfrytëzojë. Me dominimin e miqve, mbyllet në barazim 0-0 pjesa e parë.

Rastet e miqve konkretizohen në pjesën e dytë, me të zakonshmin Vlahovic, që zhbllokon sfidën në minutën e 57-të. U duk sikur Fiorentina po shkonte drejt një tjetër fitoreje, por mendojnë Bandinelli dhe Pinamonti, që të përmbysin gjithçka në minutat e fundit të takimit. Bajrami ka qenë një nga më të mirët për Empolin në këtë sfidë.

Sampdoria merr fitoren e dytë radhazi në kampionat, pasi mposht me përmbysje 3-1 Veronën në “Marassi”. Veronezët mbyllin pjesën e parë në avantazh 0-1, por në të dytën Candreva me shokë shënojnë 3 herë dhe marrin një sukses me vlera në kampionat.

Pjesa e parë ka qenë shumë e ekuilibruar në “Marassi” dhe të dyja skuadrat kanë qenë protagoniste të një ndeshjeje me intensitet të lartë. Rastet për shënim kanë qenë të pakta, por sfida është zhbllokuar me një goditje nga distanca e Tamezes, që është devijuar nga Yoshida dhe nuk i ka dhënë asnjë mundësi për të reaguar portierit Audero.

Sampdoria nis me tjetër ritëm pjesën e dytë dhe barazon rezultatin me veteranin Candreva, ndërsa për përmbysjen mendon Ekdal, që shënon golin e dytë në minutën e 77-të. Verona mundohet të reagojë, por është Murru që shënon golin e tretë për vendasit dhe vulos fitoren e Samnpdorias.

Itali-Serie A / Java e 14-të

Sampdoria-Verona 3-1

Candreva 51’, Ekdal 77’, Murru 90’/Tameze 37’

Empoli-Fiorentina 2-1

Bandinelli 87’, Pinamonti 89’ / Vlahovic 57’