Pështyma dhe ofendime, Morata: Nuk kanë punë me familjen time

Alvaro Morata nuk po kalon një moment të mirë me Juventusin, duke qenë në koherencë edhe me paraqitjet e të gjithë skuadrës bardhezi në Serie A. Me vetëm 2 gola në 11 ndeshje në këtë start sezoni në kampionat, spanjolli ka qenë larg pritshmërive dhe është kritikuar së tepërmi.

Nga grumbullimi me Spanjën, për “El Pais” ai ka komentuar pikërisht këtë aspekt. “Asnjë nuk është perfekt. Nuk jemi makineri. Unë e di se çfarë më kërkohet të bëj. Kritikat dhe vërshëllimat ndaj meje nuk më nxehin, edhe pse më bezdisin. Por, urrejtja po”, ka thënë fillimisht 29-vjueçari.

Më tej, ai ka bërë edhe dallimin e sjelljes që duhet të ketë ndaj një futbollisti, apo sidomos edhe ndaj familjes së tij. “Brenda fushës mund të më shajnë dhe të pështyjnë, por kur dal në rrugë unë, ose gruaja ime me fëmijët, jo! Është e papranueshme”, ka vijuar lojtari i Juventusit dhe Spanjës.

Gjatë fjalës së thënë, ai ka dhënë edhe justifikimet për formën që po kalon në këtë start të vështirë me skuadrën. “Kam qenë jashtë fushave për thuajse një muaj dhe sapo u riktheva, nuk isha në formën më të mirë fizike. Më është dashur të punoj shumë për ekipin dhe nuk kam qenë i qartë për të shënuar.

Në ndeshjet e fundit kam luajtur në të majtë, thuajse duke bërë lojtarin anësor. Mirëpo, rëndësi ka që të luaj dhe të bëj atë që më kërkon trajneri. Sigurisht që do të më pëlqente që të luaja edhe më shumë dhe të shënoja më tepër. Përpara dëmtimit, isha mirë”, ka deklaruar Alvaro Morata./Oversport.tv