“Fitoret e mëdha në Daytona dhe Le Mans kanë ngritur mitin e Ferrarit. Por të kaluarën duhet ta hedhim pas krahëve, siç thoshte im atë, dhe duhet ta marrin në konsideratë për të mos përsëritur të njëjtat gabime. Sporti është shumë i rëndësishëm për firmën tonë”. Këto janë fjalët e Piero Ferrari, zëvendës-presidentit të markës së njohur, në një event të rëndësishëm.
“Ferrari shet makina në të gjithë Botën, por është edhe një markë sportive. Janë dy fytyra të së njëjtës medalje, të gjithë e dinë që Ferrari ecën me shpejtësi dhe është gjithmonë prezente. Jemi dhe do të jemi”.
Piero Ferrari ka thënë disa fjalë të mira edhe për Michael Schumacher dhe djalin e tij Mick, që po lufton në Botërorin e Formula 1, me skuadrën Haas.
“Kam patur kënaqësinë ta kem mik në shtëpi Schumacherin dhe të pija me të një shishe verë. I shijonte këto momente intimiteti dhe qetësie. Ishte një njeri i thjeshtë, i qartë dhe preçiz. Më vjen keq që po flas sikur ka vdekur, ai nuk ka vdekur. Ai është gjallë, por nuk arrin të komunikojë”.
“Mick po bën rrugëtimin e tij, në një skuadër që ne e mbështesim. Ata zgjodhën të mos shpenzojnë në 2021 dhe përdorën një makinë që nuk ishte e mirë as në vitin 2020. Po harxhojnë shumë për sezonin e ardhshëm dhe ne si Ferrari po e ndihmojmë skuadrën Haas. Shpresojmë që t’i japim në vitin e tij të dytë, një makinë që mund të tregojë cilësitë e tij”-ka përfunduar djali i të madhit, Enzo Ferrari. / Oversport.tv