Pioli: Do të jetë një betejë, duelet do të vendosin fatin e derbit

Trajneri i Milanit, Stefano Pioli ka folur për mediat në prag të derbit të nesërm kundër Interit, që do të transmetohet live dhe ekskluzivisht në Oversport dhe Tibo.

“Objektivi ynë që të investojmë te të rinjtë me perspektivë, është ky vizioni i klubit. E kemi ruajtur këtë linjë, por në të njëjtën kohë ishte e rëndësishme që të konfirmonim një grup të rëndësishëm lojtarësh që kanë mundësi përmirësimi. Dest? Ka cilësi dhe shpejtësi. E morëm për të luajtur në krah, por mund të jetë i dobishëm edhe në zona të tjera të fushës. Vranckx është një mesfushor i kompletuar, një djalë interesant.

Po punojmë për identitetin e kësaj skuadre, kemi idetë tona dhe dëshirën për ti çuar para. Në ndeshje si kjo e nesërmja rëndësi ka si luan dhe jo si vjen në prag të sfidës. Vazhdoj të mendoj që kampionati do të jetë i ekuilibruar, pasi ka shumë skuadra që mund të fitojnë titullin.

Është e mundur që Interi të luajë me lojtarët e vitit të kaluar, meqë është dëmtuar Lukaku. Edhe ne pak a shumë do të jemi të njëjtët, njihemi mirë. Pres një ndeshje të luftuar, plot me duele, derbi është derbi”, ka thënë trajneri i Milanit. / Oversport.tv