Pioli: Ibrahimovic, lojtari më i mirë që kam stërvitur ndonjëherë

“Ibrahimovic ka akoma shumë për të dhënë në në fushën e blertë. Ka një nivel shumë të lartë, edhe me më të rinjtë. Është i rreptë kur duhet dhe i kujdesshëm në momentet më të vështira.

Shpresoj që kjo periudhë pushimi ta ndihmojë të arrijë formën e tij më të mirë. Në fushë e kupton lojën shumë shpejt, para të tjerëve, pa harruar edhe formën fizike që të impresionon.

Është lojtari më i mirë që kam stërvitur, edhe pse kam patur edhe një lojtar tjetër shumë të fortë: Miroslav Klose te Lazio”, ka thënë trajneri i Milanit, Stefano Pioli në “Festivalin e Sportit” në Trento.

Tekniku kuqezi ka folur për eksperiencën e tij thuajse 2-vjeçare te skuadra e Milanit: “Që në fillim ka patur një përputhje të plotë. Humbja kundër Atalantës 5-0 ishte shumë e rëndë, por na mësoi diçka të jashtëzakonshme.

U treguam të fortë që reaguam me më shumë forcë dhe energji, edhe falë prurjeve të reja të merkatos së janarit si Diaz, Ibrahimovic dhe Saelemaekers.

Aty lindi Milani ynë. Milani im, i klubit dhe i tifozëve. Edhe nga situatat më të këqija, mund të të lindin situata pozitive dhe shpresoj që të rritemi akoma më shumë”.

Pioli ka folur edhe për mësuesit e tij: “Trapattoni ka luajtur një rol shumë të rëndësishëm, pasi kur erdha tek Juventusi isha shumë i ri. Më mësoi pasionin, entuziazmin dhe durimin. Kam mësuar të jem i qartë dhe i drejtëpërdrejtë me lojtarët e mi, edhe kur ka gjëra që nuk më pëlqejnë.

Edhe me Ranierin kam patur një marrëdhënie të veçante, ai më thoshte që do të bëhesha trajner. Më ka mësuar që në futboll nuk ka vetëm bardh e zi, por edhe gri, ashtu si në jetë”, ka përfunduar trajneri i Milanit. / Oversport.tv