Pioli: Jemi të zhgënjyer sepse meritonim fitoren, gara mbetet e hapur

Një barazim që i erdhi me shijen e humbjes. Në momentin që Milani shënoi golin e dytë kundër Romës, gjithçka u duk e përfunduar. Mirëpo në fundin e lojës, kryeqytetasit thyen të gjithë ndeshjen që kuqezinjtë ndërtuan duke e barazuar me dy gola në frymën e fundit. Pas kësaj përballje ka folur vetë trajneri i Milanit, Stefano Pioli, për mikrofonat e DAZN.

“Është për të ardhur keq që nuk fituam një ndeshje të luajtur aq mirë. Ne duhet të vazhdonim të luanim mirë, por ndeshjet mbarojnë në minutën e 95’ dhe duhet shumë vëmendje.” – tha fillimisht tekniku kuqezi.

“Pësuam dy gola nga goditjet standarde edhe pse e dinim se Roma është shumë e fortë në këtë pjesë. Ne duhet të tregoheshim më shumë dinakë pas golit të shënuar nga Ibanez sepse pas atij goli skenari ndryshoi. Jemi të zhgënjyer sepse meritonim fitoren.”

“Duke parë kampionatin kemi një shije të hidhur, edhe pse për momentin gara mbetet e hapur. Natyrisht duhet të fitojmë shumë ndeshje dhe të shikojmë çfarë bëjmë në fushë.”

Pilo foli dhe për dëmtimet në ekip dhe situatën e rinovimeve. “Nuk e di se si djemtë po ecin dhe se kë mund të rikuperoj. Kemi punuar me kujdes, por ngarkesat nuk janë problemi ynë për momentin edhe pse kemi luajtur dy ndeshje të shkëlqyera. Do të ndaloja së foluri për kontrata nëse do të ishte në dorën time. Janë njerëz të tjerë që merren me këtë pjesë, unë i shoh djemtë të qetë dhe të lumtur.” – përfundoi Stefano Pioli. /oversport.tv