Stefano Pioli, trajneri i Milanit, ka qenë pjesë e eventit “Campioni sotto le stelle” dhe aty ka folur edhe për skuadrën e tij. “Milani që po stërvit, siç ua kam shpjeguar edhe djemve me bindje, është Milani më i mirë që kam stërvitur. Djemtë janë rritur shumë, ata janë më të vetëdijshëm dhe individualisht më të fortë”, ka thënë fillimisht tekniku italian.
Në lidhje me konkurrencën Pioli ka shtuar: “Në Itali ka shumë ekipe me potencial, si Interi, Juventusi, Roma, Napoli, Atalanta, Lazio dhe ne. Tani do të nisin edhe kupat e Europës. Ne duhet të përpiqemi të mendojmë se mund të fitojmë çdo ndeshje dhe në fund të shohim se ku jemi në gjendje të arrijmë”.
Trajneri i Milanit ka folur edhe për Ibrahimovic: “Është shumë e lehtë të merresh vesh me Ibrahimovic. Jemi dy njerëz të drejtpërdrejtë dhe ia themi njëri-tjetrit se çfarë mendojmë. Të dy duam të mirën e ekipit dhe kur nis gjithçka nga këtu, gjithçka është mirë. Nuk kam frikë të diskutoj dhe të përballem.
Zlatan nuk do ta pranojë kurrë, por ai është i pari veten para të gjithëve dhe merr përgjegjësitë e tij. Ai është një person me inteligjencë të lartë. Me siguri që ai na bëri të rritemi shumë dhe do të japë akoma më shumë për Milanin”.
“Ibra e Giroud bashkë? Janë dy lojtarë të mëdhenj, me karakteristika të ndryshme. Olivier është një pikë referimi dhe na jep thellësinë dhe praninë në zonë. Zlatan tani është një lojtar sulmues që i pëlqen të prekë më shumë topa dhe të mos qëndrojë brenda zonës. Kur të jenë të dy gati do përpiqemi t’i bëjmë të luajnë së bashku. Është mëkat që nuk e kemi bërë dot më parë, por nuk kemi pasur asnjë mundësi. Mendoj se mund ta bëjmë”.
“Dueli i parë në Liverpool? Është e çuditshme që Milani nuk ka luajtur asnjëherë në Anfield. Nuk e dija, mendoja se kishte luajtur atje. Emocioni do të jetë i fortë, do të luajmë në një stadium të famshëm për pasionin dhe ngrohtësinë që përcjellin tifozët. Gjithsesi më pas rëndësi ka fusha.
Vjet luajtëm në Manchester, në një stadium pa tifozë dhe na bëri përshtypje. Mendoj se do të jetë një ndeshje stimuluese. Milani po kthehet në Champions League me entuziazëm. Duhet t’i konsiderojmë ndeshjet e vështira si mundësi të mëdha, pasi nëse jemi të bindur edhe pengesat e mëdha mund të kapërcehen”, është shprehur Pioli. / oversport.tv