Pioli: Maignan do të luajë nesër, unë dhe Milani kemi të njëjtat objektiva

Fitorja në Madrid i ka rikthyer besimin dhe entuziazmin Milanit, pas disfatës së parë sezonale në kampionat në Firenze përballë Fiorentinës. Stefano Pioli në prag të sfidës së radhës në Serie A përballë Sassuolos, konfirmon rikuperimin e Maignan dhe rikthimin e Tomorit në mesjavë. Trajneri ka folur edhe për lojtarët e tjerë si dhe për rinovimin e kontratës me Milanin.

Maignan dhe Tomori – “Maignan është mirë, ka filluar të punojë me skuadrën që nga e shtuna. Është gati, ka përshpejtuar kohët e rikuperimit sepse ka një mentalitet të fortë. Nesër do të luajë ai. Tomori është më mirë, por nuk është gati për nesër, duhet të grumbullohet të mërkurën e ardhshme”.

Rinovimi dhe planet e së ardhmes – “Unë dhe klubi kemi të njëjtat objektiva, të njëjtat ambicie. Duam që të rikthejmë Milanin në kompeticionet që meriton të jetë, të jetë konkurrues për titullin në Itali dhe të synojë lart në Europë. Një proces rritjeje që do të vazhdojë me lojtarët e perspektivës, që do të rriten me ne dhe do të na japin kënaqësi të mëdha”.

Ndeshja- “Kemi treguar gjithmonë ekuilibër. Në Madrid luajtëm thjesht dhe nuk gabuam topa të lehtë. Nesër do të jetë një ndeshje e madhe dhe duhet të luajmë thjesht dhe shpejt. Sassuolo na ka krijuar gjithmonë vështirësi. Duhet të menaxhoj mirë lojtarët, duke i hequr ndonjë minutë, dikujt që ka luajtur më shumë këtë periudhë”.

Mungesat- Giroud dhe Rebic do të mungojnë. Bakayoko është më mirë, ndërsa Pellegri e ka kuptuar që mund të ketë ardhur momenti i tij dhe po stërvitet shumë mirë. Messias ka treguar vetëm një pjesë të asaj që unë shoh çdo ditë në stërvitje. Ka shumë cilësi. Është një histori e bukur, jo një përrallë. Është këtu sepse i ka cilësitë për të luajtur me ne”. / Oversport.tv