Pioli: Milani im tregoi maturi, meritë e lojtarëve! Castillejo një shembull

Një përmbysje rezultati që vetëm Milani i tij mundet ta bëjë. Stefano Pioli është i entuziasmuar me fitoren 3-2 me Hellas Veronën, që i dha njëkohësisht dhe kreun e renditjes për momentin.

Për mikrofonat e Sky Sport, ai u shpreh i lumtur për fitoren dhe theksoi se gjithçka erdhi si pasojë e maturisë që grupi i lojtarëve gëzon. “Ishte e komplikuar, por djemtë treguan karakter. Verona ishte e fortë në pjesën e parë, e mirë në duele, kishin më shumë intensitet dhe krijuan më shumë raste të rrezikshme”, tha Pioli për pjesën e parë të mbyllur në disavantazh.

Sa i përket kthimit të rezultatit, Pioli aspak i befasuar ia drejton gishtin lojtarëve për suksesin e arritur në San Siro.

“Ishte me të vërtetë një shfaqje maturie. Ajo çfarë na duhet është maturia dhe qëndrueshmëria. Nëse kërkon të jesh i madh, duhet të fokusohesh te gjërat e vogla si fillim dhe t’i japësh rëndësi çdo detaji”, shpjegoi trajneri i kuqezinjve.

Është ky Milan për titull? “Ishte një fitore e rëndësishme që vlen 3 pikë, por mos të harrojmë se ka klube të mëdha me kualitete. Siç e thashë, duam të jemi konkurrues deri në fund dhe të fokusohemi te gjërat e vogla”.

Samu Castillejo? “Samu duhet të jetë një shembull. Nuk ishte zgjedhja ime e preferuar, por ai kurrë nuk ka reshtur së punuari. Ky ëhtë sekreti i një ekipi. Jam i lumtur për të”, përfundoi Stefano Pioli./ Oversport.