Pioli: Napoli i jashtëzakonshëm, por ne mendojmë që mund të fitojmë titullin

“Duhet të mendojmë që mund të fitojmë titullin kampion. Pastaj nëse Napoli vazhdon me këtë ritëm dhe shkon në 100 pikë, atëherë ka fituar me meritë kampionatin. Ne jemi ambiciozë dhe nuk kemi ndërmend të dorëzohemi”, ka thënë trajneri i Milanit, Stefano Pioli në një intervistë të dhënë për Sport Mediaset.

Tekniku ka komentuar titullin e fituar një sezon më parë: “E arritëm para kohe këtë sukses, sepse kur investon te të rinjtë pret që të fitosh në një kohë më të gjatë. Ne arritëm të triumfonim menjëherë. Nuk i dhamë rëndësi atyre që fliteshin. Duhet të falënderoj ata që nuk besonin te ne, sepse na dhanë forcë shtesë për të arritur këtë objektiv të madh”.

Pioli ka komentuar edhe përballjen e dyfishtë me Tottenhamin e Contes në Champions: “Do të jetë një ndeshje shumë e rëndësishme dhe stimuluese sepse kishte kohë që Milani nuk kualifikohej në 1/8 e finales. Do të përballemi me një skuadër të madhe që drejtohet nga një trajner shumë i mirë”, ka thënë trajneri i Milanit. / Oversport.tv