“Duhet vetëm të fitojmë”. Kjo është kryefjala e konferencës për shtyp e Stefano Piolit në prag të sfidës Milan-Sassuolo. Kuqezinjtë janë duke kaluar një periudhë krize, ku në 5 sfidat e fundit nuk kanë asnjë fitore, duke humbur kështu finalen e Superkupës, si dhe janë eliminuar nga Kupa e Italisë.
Në ndeshjet e fundit Milani u mposht në “Olimpico” nga Lazio me poker golash duke konfirmuar edhe më tepër krizën që po kalojnë. Pikërisht nga momenti negativ që kuqezinjtë janë duke kaluar nis edhe konferenca e Stefano Piolit.
“Ndaj Sassuolos kemi një mundësi tjetër. Besoj se për të tejkaluar këtë moment duhet të kemi kapacitetin e duhur dhe kompaktësi në mënyrë që të ndryshojë faqe. Nëse mendojmë shumë për atë që duhet të kishim bërë nuk na ndihmon. E dimë që mund të bëjmë shumë më mirë dhe jemi të lumtur që do të rikthehemi të luajnë pranë tifozëve tanë. Tashmë na takon gjithçka neve, tani ka vlerë vetëm fitorja”, u shpreh fillimisht Pioli.
Së fundmi ka pasur shumë kritika në drejtim të lojtarëve se nuk po japin maksimumin e tyre në fushë. Megjithatë, Pioli i del në mbrojtje të besuarve të tij dhe shprehet besimplotë se do të dalin nga kjo situatë.
“Askush nuk duhet të besojë se lojtarët nuk duan të tejkalojnë këtë moment dhe që nuk po japin 100%. Kam parë gjithmonë prej vëmendje të madhe dhe shumë vullnet. Ky moment kalohet duke punuar, sepse e dimë që mund të bëjmë shumë më mirë nga çfarë kemi bërë.”
Sa i përket formacionit startues, Pioli shprehet se ende nuk ka vendosur se kush do të luaj, por kërkon nga lojtarët që të jenë të gjithë të gatshëm.
“Të gjithë lojtarët duhet të ndihen të gatshëm. Është hera e parë që nuk fitojmë 5 ndeshje radhazi, kështu që të gjithë duhet të jenë gati. Kemi luajtur shumë ndeshje dhe do të vendos pas stërvitjes së fundit për formacionin.”
Në fund ka edhe një lajm të mirë nga infermieria, ku Theo Hernandez mund të jetë i gatshëm për sfidën ndaj Sassuolos.
“Dje Theo ishte pjesë e grupit dhe në fundin e stërvitjes ndihej mirë. Nëse do të vazhdojë kështu, në sfidën ndaj Sassuolos do të jetë në dispozicion.”
Përballja mes Milanit dhe Sassuolos do të luhet ditën e diel duke startuar nga ora 12:30 dhe do të transmetohet live dhe ekskluzivisht në Oversport dhe platformën Tibo. /oversport.tv