Pioli: Nëse duam fitore, duhet të pësojmë më pak

Milan do të tentojë që të shfrytëzojë edhe më tepër ndalesën e Napolit, Romës, Interit dhe Juventusit për të vijuar rrugëtimin drejt rezultateve pozitive.

Përballë do të jetë Torino dhe trajneri i kuqezinjve, Stefano Pioli, në konferencën për shtyp është i bindur që përballë do të kenë një kundërshtar të rrezikshëm. “Pres një Torino luftarake dhe imponuese në lojë. Ka një skuadër të fortë dhe Juric po bën punë të jashtëzakonshme.

Belotti? Nuk e di as nëse do të luajë, por nuk është problemi im. Për ne është e rëndësishme që të jemi më të përqendruar dhe më tepër komunikues mes nesh. Për të fituar, duhet të pësojmë më pak gola. Tifozët kanë të drejtë që të ndjehen krenarë dhe të kënaqur me këtë skuadër, mirëpo për klasifikimin është shpejt të flasim.

Nëntë ndeshje nuk janë asgjë. Kalendari është shumë i ngjeshur dhe ka konkurrencë të lartë. Jemi të fortë dhe kompetitivë, ndaj duhet të përballojmë në mënyrën më të mirë çdo ndeshje. Edhe ndeshjet e djeshme më konfirmuan se nevojitet nivel i lartë përqendrimi në çdo takim”, tha trajneri i Milanit.

Më tej, numri një i stolit të kuqezinjve u ndal edhe tek emra të veçantë. “Mirante nuk është në formën e duhur dhe do të luajë Tatarusanu. Në momentin që kemi nevojë për më shumë fizik në fushë, kemi mundësinë që të aktivizojmë Ibra e Giroud.

Për momentin nuk janë në 100% të gjendjes së tyre, por rëndësi ka që të kenë vazhdimësi si në stërvitje edhe gjatë ndeshjeve. Theo nuk mendoj se do të nisë nga fillimi. Ndërsa Kessie është mirë dhe në dispozicion.

Arbitrat? Unë dua një uniformitet të vendimeve gjatë ndeshjes. Nuk mund të vazhdojmë që të diskutojmë, por të stërvitemi dhe të pranojmë vendimet”, ka deklaruar Stefano Pioli. /Oversport.tv