Pioli nuk duron: Nuk ishte vetëm i kuqi e penalltia, çdo vendim kundër Milanit

Stefano Pioli ishte shumë i zhgënjyer pas humbjes së Milanit kundër Atletico Madrid në Champions League. Cuneyt Çakir, arbitri turk, largoi me karton të kuq Kessie pas gjysmë ore lojë, ndërsa në minutat shtesë dha një penallti që ka bërë të gjitha studiot televizive sportive në Itali të çojnë zërin për vendimin e padrejtë.

Në lidhje me gjykimin as trajneri Pioli nuk u kursye: “Mendoj se arbitri nuk kishte natën e tij më të mirë. Jemi penalizuar. Është e qartë se me 10 lojtarë duhet të luanim një tjetër lloj ndeshjeje. Gjithsesi ne sërish ishim shumë pranë marrjes së një rezultati pozitiv.

Nuk ishte vetëm penalltia dhe kartoni i kuq, çdo vendim 50/50 jepej në favor të Atleticos. Me pak më shumë përqendrim te goli i parë, mund të kishim marrë tre pikët. Na mungonte vetëm diçka e vogël, është një mëkat që humbëm”.

“Ne luajtëm shumë mirë kur ishim 11 kundër 11, me ritëm, kualitet dhe intensitet. Kjo duhet të na bëjë të kuptojmë se jemi një skuadër konkurruese. Gjithashtu duhet të kuptojmë se niveli në Champions është shumë i lartë dhe kemi nevojë për përqendrim gjatë gjithë ndeshjes.

Ka qenë një periudhë e vështirë kohët e fundit dhe do të fillojmë të mendojmë për Atalantën tani. Fizikisht dhe mendërisht na ka kushtuar e gjitha çfarë ka ndodhur”, përfundoi Pioli deklaratën e tij për Sport Mediaset. / oversport.tv