Stefano Pioli është shumë i kënaqur për barazimin që Milani mori në Torino dhe thotë se i pëlqeu mënyra se si reagoi skuadra. Ai thotë gjithashtu se shkuan për ta fituar këtë sfidë, pavarësisht se gjetën një Juventus të motivuar.
“Ne erdhëm këtu në Torino për ta fituar ndeshjen, por në 20 minutat e para gjetëm një Juventus të fortë dhe të motivuar”, ka thënë fillimisht trajneri i Milanit. Më tej ai analizoi edhe rezultatin përfundimtar të ndeshjes.
“Ne rezistuam dhe në fund provuam edhe të largoheshim me 3 pikë. Paraqitja që bëri skuadra ishte sigurisht pozitive”, shtoi strategu italian. Gazetarët e pyetën nëse ishte një sfidë e zgjidhur nga Rebiç, por ai donte që t’ua jepte meritat të gjithë futbollistëve.
“Unë meritat ua jap të gjithëve gjatë gjithë ditëve. Rebiç është një lojtar që mund të bëjë shumë role të ndryshme. Po na jep një dorë në një pozicion ku kemi edhe Ibrën dhe Giroudin. Sigurisht që ai na ndihmon për të çarë këto ndeshje të mbyllura. Duhet të vazhdojmë kështu”, theksoi ai.
Në fund ka bërë edhe një batutë nëse mund ta ndalte Moratën në aksionin e golit, duke i kujtuar faktin që ka qenë mbrojtës. “Nuk besoj që do ta kapja dot Moratën”, tha ai duke qeshur. / oversport.tv