Pioli shpallet trajneri më i mirë në Itali: Ndjej ende emocionet e vitit të kaluar

Riktheu Milanin te titulli kampion në Serie A pas 11 vitesh. Puna e Stefano Piolit nuk kishte se si të mos shpërblehej. Tekniku kuqezi është shpallur trajneri më i mirë për sezonin 2021-2022 në Itali duke fituar kështu çmimin “Pankina e Artë”.

Pioli mori 33 nga 46 vota në total nga kolegët e tij duke përqafuar edhe trofeun prestigjioz, ndërsa pas tij u rendit Davide Nicola që bëri mrekulli me Salernitanën të cilën e mbajti në elitën e futbollit italian. Podiumi u plotësua nga trajneri i Napolit, Luciano Spalletti që nuk ishte i pranishëm në ceremoni së bashku me Simone Inzaghin për shkak të impenjimeve që kanë me skuadrat e tyre në Champions League.

“Jam shumë i emocionuar”, u shpreh fillimisht Stefano Pioli në fjalën e tij pas trofeut të fituar. “Kur shikoj se çfarë kemi bërë vitin e kaluar, emocionet i ndjej akoma. Dua ta ndaj këtë çmim me të gjithë njerëzit special që punojnë në Milanello, me stafin tim dhe mbi të gjitha me lojtarët sepse gjithmonë kam menduar, njësoj si këtë vit, se trajnoj një grup special.”

I pranishëm në ceremoninë e dhënies së çmimit ishte edhe trajneri i cili u shpall kampion bote me Argjentinën, Lionel Scaloni. Pioli pason kështu në majën e pankinave të Serie A, Antonio Conten i cili e fitoi në sezonin 2020-2021 ku shpalli kampion Interin. Më parë këtë trofe e fitoi Gasperini për dy sezone, si dhe Allegri me Juventusin e Sarri me Napolin. /oversport.tv